Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, ka hedhur akuza të forta ndaj kryedemokratit Lulzim Basha.
Ai u shpreh se Basha gënjeu kur njoftoi se Këshilli Kombëtar e ka votuar unanimisht datën e zgjedhjeve të 13 qershorit. Sipas Nishanit, Këshilli Kombëtar nuk u lejua nga Basha dhe Gazment Bardhi, pasi ata thanë se vendimi i takonte vetëm Kryesisë së PD.
Por Nishani tha se edhe Kryesia nuk e votoi unanimisht 13 qershorin, pasi Tomorr Alizoti abstenoi, ndërsa Oerd Bylykbashi dhe Enkelejd Alibeaj u shprehën se ajo datë nuk ishte e drejtë.
“Lulzim Basha gënjen edhe veten e tij kur nuk ka kë të gënjejë tjetër. Njoftoi se Këshilli Kombëtar e ka votuar unanimisht datën e zgjedhjeve, por kjo nuk është e vërtetë. Këshilli nuk e ka votuar fare sepse Basha dhe Gazment Bardhi thanë se ky vendim nuk i përket Këshillit, por Kryesisë. Por edhe Kryesia nuk e votoi unanimisht, pasi Tomorr Alizoti abstenoi, ndërsa Oerd Bylykbashi dhe Enkelejd Alibeaj thanë se ajo datë nuk ishte e drejtë”, tha Nishani.