Viti ’97 ishte vit i mbrapshtë për gjithë shqiptarët dhe la pasoja të rënda për vendin tonë. Në shumë qytete veç dëmtimeve ekonomike pati edhe zhdukje dhe vrasje të shumta. Një ndër qytetet me më shumë viktima ishte edhe qyteti i Burrelit.
Bandat e këtij qyteti ishin nga më të rrezikshmet dhe shkaktuan mjaft vrasje duke lënë në gjak edhe sot e kësaj dite shumë familje. Sikur të mos mjaftonte kjo më e keqja ndodhi më 29 prill të atij viti.
Atëherë kur varfëria kishte arritur ekstremin, njerëzit shkatërronin e prishnin çdo gjë që u dilte përpara vetëm për të fituar bukën e gojës, në malin e Qafshtamës, në depot(tunelet) ku ruheshin armatimet e shumta që sistemi diktatorial kishte grubulluar, njerëz të asaj zone, të rinj dhe të reja punonin për të nxjerr bukën e gojës.
Pasi i çmontonin këto armatime, derdhnin barutin dhe merrnin gëzhojat për t’i shitur. Në një moment, një shkëndijë zjarri ndodhi dhe aty mbaroi gjithçka. I gjithë Mati u trondit jo nga shpërthimi i fuqishëm, por nga jetët e humbura. 23 viktima, ndër ta dhe fëmijë, humbën jetën. Disa prej viktimave nuk u gjetën duke e shtuar dhimbjen dyfish për familjarët e tyre.
Sot pas 22 viteve, askush nuk mban pergjegjësi për këtë tragjedi. Nga familjarët kujtohen çdo vit me dhimbje të madhe.