Në vitin 2018 janë gjobitur 112 zyrtarë të lartë pasi nuk kanë deklaruar pasurinë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, (ILDKPI).
Në vitin 2018 janë gjobitur 112 zyrtarë të lartë pasi nuk kanë deklaruar pasurinë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, (ILDKPI). Shifra është bërë e ditur nga kryeinspektori Shkëlqim Ganaj në Komisionin e Ligjeve. Ai ka deklaruar se janë gjobitur zyrtarë të të gjitha niveleve në institucionet shqiptare.
“Inspektorati i lartë ka vijuar me zbatimin me korrektësi të 3 ligjeve bazë duke referuar pranë organit të prokurorisë, strukturave të hetimit tatimor, strukturave të policisë së shtetit, drejtorisë së përgjithshme të parandalimit të pastrimit të parave 53 raste, duke aplikuar edhe 112 masa administrative me gjobë ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë”, u shpreh Ganaj.
Sa i përket ligjit të sinjalizimit, i cili u vjen në ndihmë punëmarrësve dhe atyre që kanë marrëdhënie kontraktuale me një institucion publik apo kompani private që të sinjalizojnë veprimet korruptive me të cilat ndeshen, nuk ka gjetur ende zbatim. Ganaj theksoi se janë raportuar 247 raste të korrupsionit në institucione, por asnjëra prej tyre nuk është sinjalizuar nga sektori privat.
“Nga 247 raportime, nga sektori privat nuk ka asnjë rast sinjalizimi. Kjo është një çështje që duhet parë në vijimësi, sepse u bë viti i dytë që nuk ka asnjë sinjalizim nga sektori privat”, tha Ganaj.