New York-u është goditur nga stuhia e fuqishme dimërore Devin ndërsa parashikohen reshjet më të mëdha të dëborës në mbi tre vjet.
Stuhia e fuqishme e dëborës pas Krishtlindjes po përfshin mbarë verilindjen e ShBA-së, duke sjellë kaos në transport. Udhëtimet ajrore po marrin një goditje të madhe, ku mbi 1,500 fluturime u anuluan deri të premten.
Guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme përpara stuhisë.
Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi paralajmërime për stuhinë e cila pritet “të shkaktojë kushte të rrezikshme udhëtimi”. Në disa zona do të bjerë deri në 20 cm dëborë.
Mot i keq edhe në Kaliforninë Jugore. Tre ditë me reshje të dendura shiu shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu, ndërsa banorët e vendpushimit malor Wrightwood filluan të heqin baltën dhe të vlerësojnë dëmet. Numri i të vdekurve nga moti i keq u rrit në katër.
Stuhia që ra gjatë festave përmbyti mbarë rajonin e Los Angelesit. Shtëpitë dhe automjetet në qytetin Wrightwood u mbuluan me baltë.
Shirat e rrëmbyer u shoqëruan me erëra të forta që rrëzuan pemë dhe linja elektrike në të gjithë rajonin.
