Në ditën e përvjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazistë, kanali televiziv “Rusia 1” i ka kushtuar një reportazh të shkurtër partizanit shqiptar dhe gjeneralit të Ushtrisë Sovjetike Jani Kiço Lufi.
Gati gjysmë shekulli ai shërbeu në rreshtat e ushtrisë shqiptare dhe asaj sovjetike. Për 48 vjet shërbimi ai njohu ndodhi e ngjarje nga më të ndryshmet. Luftoi me armë në dorë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit fashistë italo-gjermanë. Në ushtrinë sovjetike megjithatë i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake, nga komandant batalioni deri në detyrën e shefit të shtabit të korpusit.
Në vitin 2003 libri i tij autobiografik “Nga partizani shqiptar deri në gradën e gjeneralit sovjetik” u botua në Rusi dhe më pas në vitin 2008 u përkthye në shqip nga profesori As.Dr.Gjergj P.Titani dhe studiuesi Robert S.Vullkani dhe u ribotua në Tiranë.
NGJARJA
Urdhrat e nënshkruar nga Enver Hoxha ishin të formës së prerë: Të ndërpriten marrëdhëniet politike, ushtarake, ekonomike me Moskën! Të kthehen të gjithë studentët nga BS! Përgjigjja ishte e menjëhershme dhe pa mëdyshje. E papritura ndodhi vetëm me studentin e “Frunze”-s, që guxoi të sfidojë urdhrin e Tiranës.
Jani Lufi qëndroi në Moskë dhe nuk i ndërpreu studimet. Një tërbim i furishëm do të vërsulej ndaj tij. Zyrtarët do të plotësonin raportet speciale “Jani Lufi u rekrutua nga KGB-ja”, “E rrëmbeu dashuria e vajzës së gjeneralit”, “E komprometuan me rubla dhe vodka”.
Një mori versionesh për tradhti e veprimtari agjenturore u anatemuan për të, aq sa emri i Jani Lufit mori përmasat e një legjende të mistershme. Ndodhte kështu kur ai, ish-partizani i “Thanas Zikos”, komunisti nga Sofratika, oficeri madhor i akademisë “Skënderbej”, vazhdonte jetën larg familjes dhe shokëve të afërt, pa e ditur se ç’flitej për të.
Shumë vite më vonë, “bukëshkali” i regjimit të Tiranës, që vazhdoi karrierën ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik për dekada me radhë, përpiqet të sqarojë në një libër autobiografik rrethanat në të cilat është detyruar të qëndrojë në ish-Bashkimin Sovjetik, kur të tjerët u kthyen pa hezitim.
Për të, akti i komentuar gjatë në vite, nuk ka qenë as sfidë e as tradhti. “Kur është komunikuar urdhri nga autoritetet shqiptare për t’u kthyer, pohon aty Lufi, unë ndodhesha shumë larg Moskës, duke u kuruar në një spital rajonal”.
Pak a shumë kështu janë shprehur së fundi edhe disa nga ish-shokët e tij të “Frunze”-s, në kujtimet për ngjarjen e pazakontë. Përkundër këtij varianti, në arkivat shqiptare ku është ruajtur me fanatizëm praktika e “tradhtisë së ushtarakut Jani Lufi”, ndodhet një dokument që ndriçon, pak a shumë, një tjetër rrjedhë të ngjarjes.
Në një letër me shkrim dore, që mban datën 3 gusht 1961, akademisti i “Frunze”-s njofton Ambasadën Shqiptare në Moskë se refuzon kategorikisht të kthehet në Shqipëri, sepse nuk pajtohet me politikën antimarksiste, antisovjetike, jointernacionaliste që ndjek KQ e Partisë së Punës së Shqipërisë.
LETRA E AMBASADORIT
Lënda: Mbi tradhtinë e ish-anëtarit të Partisë, Jani Lufi Komitetit Qendror të Partisë
(Drejtorisë së Jashtme)
Në datën 3 gusht, së bashku me gjashtë shokët e tjerë që vazhdonin studimet në Akademinë “Frunze”, duhej të nisej për në Tiranë dhe Jani Lufi, por, siç dihet, i përmenduri nuk u nis dhe u hodh në tradhti.
Për të sqaruar çështjen me organet zyrtare u ngarkua shoku Dilaver Poçi, i cili mori takim me zëvendëskomandantin e Akademisë në fjalë dhe më vonë me zëvendësministrin e Mbrojtjes, gjeneral Gusievin.
Nga takimet që pati, si dhe nga bisedimet e zhvilluara, rezultoi se ata, me qëllim, nuk e treguan të vërtetën, por mundoheshin me fjalë “të mira” të na vinin në pasivitet. Gjeneral Gusievi, në takimin e fundit me Dilaverin, tha se Jani Lufi ka shkuar me pushime në Detin e Zi pa pyetur komandën e shkollës, e konsideroi këtë si mungesë disipline të Janit dhe të tjera pallavra.
Në datën 10 gusht, shoku Nesti mori një letër nga Jani Lufi. Në këtë letër ai shkruan se ka vendosur të qëndrojë në Bashkimin Sovjetik, mbasi nuk është dakord me vijën “antimarksiste’, “antisovjetike” dhe “jointernacionale”, që, sipas tij, ndjek Partia jonë.
Letra mbante datën 3 gusht 1961. Jani Lufi ishte Kapiten i Parë dhe mbaroi vitin e dytë të studimeve. Është minoritar grek. Na rezulton se nuk ka prindër ose familjen e vet. Shtojmë se organizata e Partisë nuk kishte mundur të krijonte ndonjë dyshim mbi qëndrimin e tij politik.
Për Komitetin e Partisë
Sekretari Petro Godeshi

INTERVISTA/ “Si u bëra gjeneral në BS unë partizani shqiptar”
“Mirëmbrëma vëllezër! Jam Jani Lufi, flas nga Krasnodari”. Më në fund, nga krahu tjetër i telefonit dëgjohet zëri i njeriut që kemi kërkuar prej ditësh. I gatshëm për të rrëfyer historinë e tij, ushtaraku shqiptar që ka ngrysur jetën në Rusinë e largët, fillon të flasë me një shqipe të qartë, duke e ndërprerë hera-herës me ca “da, da” të shkëputura.
Jani Lufi, si rrallëkush tjetër, ka një jetëshkrim të veçantë, të cilin ka dëshirë ta ndajë në dy momente që shkrihen natyrshëm te njëritjetri. Nëse e ka përballur me rrethana specifike faktori kohë dhe ai gjeografik, kjo, për karakterin dhe vlerat e qenësishme të trashëguara nga vendlindja, ka qenë e papërfillshme.
“Unë isha Jani Lufi, partizani 14-vjeçar i batalionit ‘Thanas Ziko’. Po unë, gjenerali i Ushtrisë Sovjetike”. Në rrëfimin e mëtejshëm, njeriu që përgjigjet në shqip nga Krasnodari i largët, thotë se jeta i ka rezervuar një fat të çuditshëm, por është krenar që ka ditur të ruajë ekuilibrin e të mbetet ballëlart përpara të njohurve dhe atyre, me të cilët e lidhi profesioni dhe detyra e përbashkët.
Gjithsesi, për të jo çdo gjë ka rrjedhur kreshendo. Gjysmëshekulli larg familjarëve, shokëve, miqve, larg njerëzve me të cilët u rrit dhe u shkollua, ka qenë sfilitëse e dramatike njëherazi. Ca më tepër, shton Jani Lufi, mënyra si është përfolur në Shqipëri qëndrimi në Moskë pas divorcit të viteve ’60, më ka brengosur tej mase e më ka plakur para kohe.
Shpërfillës ndaj akuzave në adresë të tij, mundohet t’i kujtojë duke qeshur, së paku aq sa ka marrë vesh nga versionet e ngritura nga Sigurimi i Shtetit. “Kanë thënë se më ka errur sytë vajza e bukur e një gjenerali nga Moska, kur jam martuar pas dhjetë vitesh nga prishja e marrëdhënieve midis dy vendeve. Më kanë quajtur agjent të KGB-së, kur vazhdoja të mbaja teserën e anëtarit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Kanë thënë se jam rekrutuar nga zbulimet e huaja gjatë luftës, kur isha partizan e ndiqja këmba-këmbës okupatorin në vendin tim”.
Më shumë se për kundërargument, Jani Lufi mundohet të zbardhë rrethanat në të cilat bëri zgjedhjet përkatëse, i bindur se për këtë i detyrohet opinionit dhe, sidomos, shokëve me të cilët ka ndarë dikur gëzimet e detyrave të përbashkëta.
E vërteta është se Tirana e atyre viteve ka konsumuar një fluks akuzash për studentin e “Frunze”-s, që nuk u riatdhesua pas prishjes me BS-në. Po çfarë ka ndodhur realisht me të? Në rrëfimin për “Panoramën” Jani Lufi sjell një retrospektivë nga jeta e tij, duke filluar nga vitet e fëmijërisë në Sofratikën e Gjirokastrës, ato të betejave partizane në radhët e batalionit “Thanas Ziko”, ditët skënderbegase, ato të studimeve në Akademinë Ushtarake, periudhën kur shërbeu si oficer në Tiranë, atë të studimeve në “Frunze” në ish-BS e deri te çastet e gradimit me yjet e gjeneralit…
Zoti gjeneral, fillimisht diçka nga momentet kryesore të jetës suaj…
Së pari, desha të them se jam shqiptar, djalë i dy prindërve fatkeq nga Jugu i Shqipërisë. Kam lindur në fshatin Sofratikë të rrethit të Gjirokastrës. Sofratika është një fshat i bukur, i rrethuar me male dhe gryka të ngushta që përfundojnë te lumenjtë e vrullshëm poshtë gjunjëve të tij. Aty jam bërë tetë vjeç, pastaj kam ikur dhe nuk jam kthyer më kurrë…
Çfarë ruani në kujtesën tuaj nga shtëpia ku keni lindur?
Shtëpia jonë ka qenë në krye të fshatit. Një miku im që jeton në Greqi, Vangjel Nasto, dhe një mbesa jonë në Libohovë, Sofija, më kanë shkruar së fundi se rrënojat e saj dallohen qartazi edhe sot, ndërkohë që qoshet e mureve nuk janë rrafshuar tërësisht.
Mbani mend ngjarje të asaj periudhe nga jeta në Sofratikë?
Më kujtohet kurbeti, drama që përjetonin fshatarët tanë në atë kohë. Veçanërisht mbaj mend këngët e pikëllimit të grave për burrat që merrnin rrugën e kurbetit për një jetesë më të mirë. Çdo shtëpi përshkruhej nga dhimbjet e tij.
Djemtë e porsamartuar ndaheshin me gratë e bukura dhe fëmijët e vegjël dhe kërkonin fatin matanë maleve, shumë larg, në Amerikë, Australi, Zelandën e Re, Francë etj. Mjaft syresh u qëllonte që nuk ktheheshin më. Ndërkaq nënat dhe nuset e tyre e ngrysnin jetën në këtë pritje të gjatë, që shumë herë vazhdonte sa vetë jeta e tyre.
Diçka për familjen…
Ta filloj nga nëna, fisi i së cilës me rrënjë e me degë ishte shqiptar. Ajo ishte nga Qeparoi i Himarës. Gjyshi ishte pronar i një numri të madh delesh e dhish, që në dimër i mbante aty e në verë i sillte mbi bregoret e Libohovës. Ishte rituali i këtij shtegtimi shkaku i miqësisë së tij me familjen e babait, nga ku lindi miqësia e prindërve të mi.
Kështu, në verën e vitit ’30, Kiço Lufi lidhi kurorë me nënën time, Teodora Kopali. Nga kjo martesë, më 15 maj të vitit 1931, linda unë, djali i vetëm i tyre. I kam dashur shumë prindërit e mi. Ishte fati i keq i tyre që ikën të rinj nga kjo jetë…
Në fshatin tuaj, në Sofratikë, flisnin greqisht, sa të vështirë e pati nëna integrimin në komunitetin e tij?
Nëna ime dinte vetëm shqip dhe kjo ia vështirësonte jashtë mase komunikimin me të tjerët. Ca më tepër që ajo mbeti e ve shumë e re, pasi babai vdiq në vitin 1938 dhe e përjetoi shumë rëndë vdekjen e tij.
Çfarë mbani mend nga periudha e shkollës në fshat?
Ka qenë pranvera e vitit ’39 kur nisa shkollën. Mbaj mend që për klasa ishin përshtatur mjediset e kishës së fshatit dhe nga 1 marsi e deri më 30 shtator, mësimet i bënim aty. Gjithsej ishin katër klasa. Në shkollë kishim vetëm një mësues. Tërë jetën e kam kujtuar me adhurim të veçantë profilin e tij. Spiro Xhai e quanin.
Ishte babaxhan dhe njeri i shkolluar. Në vitet e luftës u bë një nga kuadrot e njohur të Lëvizjes. Shkolla jonë do të vazhdonte vetëm një vit, pasi në dhjetor ajo do të mbyllej nga vetë situata që krijoi pushtimi i vendit nga Italia fashiste.
Si e përjetoi brezi juaj pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste…
Ka qenë 9 prilli, kur në fshatin tonë, Sofratikë, mbërriti pararoja e reparteve të divizionit ekspedicional të këmbësorisë italiane dhe poshtë në fushë u dislokuan repartet e gardistëve. Ushtarët italianë, qysh në kontaktin e parë, u sollën tmerrësisht keq me fshatarët. Brutaliteti dhe arroganca ishte e vetmja gjuhë e komunikimit të tyre me vendasit. Veçanërisht qëndrimet e tyre të paturpshme ndaj grave dhe vajzave ishin shumë revoltuese. Pati në ditët e para shumë përplasje me ta për provokimet e ndryshme që bënin.
I vetmi reagim ishte ruajtja e grave dhe vajzave nga ekspozimi përballë këtyre mysafirëve të paftuar. Harbutëria e tyre ishte e jashtëzakonshme dhe ndihej kudo. Si të paskrupullt që ishin, sulmin e parë e nisën me lejlekët e shumtë që kishim në fshat. Ata iu vërsulën si bisha dhe vranë pjesën më të madhe të tyre. Pjesa tjetër iku dhe qysh atëherë e derisa kam ikur unë nga fshati, lejlekët nuk u kthyen më. Megjithatë deri këtu qëndrimi i tyre, edhe pse i turpshëm, së paku nuk rrezikonte jetën e njerëzve. Situatë kërcënuese u krijua në Sofratikë gjatë mësymjes së ushtrisë italiane mbi territoret e Greqisë. Fshati ynë ishte në brezin kufitar që ndan Shqipërinë me Greqinë.
Për herë të parë sulmi nisi në mëngjesin e 28 tetorit. Pastaj e gjithë zona u bë një teatër luftimi. Më 9 mars, forcat greke e thyen mësymjen italiane. Në vazhdim filloi tërheqja e trupave dhe arsenaleve ushtarake. Gjatë tërheqjes, ushtria greke bëri një goditje të madhe me artileri ndaj një garnizoni italian që ishte vendosur në afërsi të Sofratikës. Aty u vranë shumë oficerë dhe ushtarë italianë. Të nesërmen ata i varrosën në një kodër përmbi fshat. Kështu, Sofratika u bë “monumenti” i Luftës së Dytë Botërore, i varrezave të italianëve…
Gjatë luftës italo-greke u shkri kufiri shtetëror me fqinjin e jugut…
Prishja e këtij kufiri i ndihmoi grekët për të kërkuar strehë e ndihmë në tokën tonë. Në vjeshtën dhe dimrin e vitit ’41- ’42, Greqia u përball me një tragjedi të vërtetë. Lufta shkatërrimtare e kishte lënë vendin pa rezerva ushqimore. Një uri e jashtëzakonshme pllakosi tërë vendin. 320 mijë njerëz vdiqën nga kriza e bukës.
Turma të uritura grekësh çdo ditë trokisnin në dyert e shtëpive tona dhe kërkonin një kafshatë bukë sa për të mbijetuar. E vërteta është se fshatarët tanë iu përgjigjën me shumë humanizëm dhe në një kohë kur edhe vetë ishin në një gjendje të mjeruar, ndanë me komshinjtë e tyre edhe kafshatën e fundit…