Ish-kryetari i partisë ‘Sfida për Shqipërinë’, Gjergj Bojaxhi ka kundërshtuar ashpër vendimin e opozitës së bashkuar për djegien e mandateve, duke e cilësuar këtë si një akt të papërgjegjshëm dhe jo thjesht të paprecedentë. Me vendet e lëna bosh nga opozita, tani është hapur rruga për hyrje të reja në Parlament. Radha mund t’i vijë edhe Bojaxhiut, nëse deputetët e PD, LSI-së dhe aleatëve të tjerë në radhë, nuk pranojnë kete gje.
Në emisionin ‘Top Talk’, Bojaxhi është shprehur se do të pranonte me kënaqësi të bëhej pjesë e parlamentit me argumentin se kështu do të godiste të keqen.
“Çdo podium që ne mund ta përdorim për t’u dëgjuar më shumë nga qytetarët shqiptarë, për të denoncuar më shumë korrupsionin, nepotizmin dhe çdo gjë që shkon keq në këtë vend, unë mendoj – nuk dua të flas në emër të Sfidës sepse nuk jam kryetar i saj, – që një parti si Sfida duhet ta përqafojë këtë mundësi për të denoncuar dhe diskredituar gjithçka shkon keq. Pavarësisht se, nëqoftëse ne pranojmë rregullat e lojës në politikën që kanë ndërtuar këto dy partitë kryesore, nëse merr mandatin i bie që je patericë e qeverisë, nëse nuk e merr mandatin je palë me Lulin dhe Monikën. Në zgjedhjet e vitit 2017, pa u bërë marrëveshja PD-PS, ne si lëvizje politike hymë qartazi në garë pa bërë koalicion me asnjë nga partitë parlamentare, duke thënë se do t’i bënin opozitë këtij sistemi parlamentar dhe politik të krijuar në Shqipëri. Në këtë këndvështrim, çdo mundësi që do të na jepej, të paktën mua personalisht, për të goditur të keqen që është ndërtuar, do ta bëja me shumë kënaqësi”, deklaroi Bojaxhi.
Bojaxhi u largua si drejtues politik i ‘Sfidës’ në Dhjetor të 2017-ës; kryetare e re u zgjodh Z. Blerina Turdiu Kokona në bazë të parimit një anëtar një votë. Në zgjedhjet ë përgjithshmë të 2017-ës, ‘Sfida’ hyri e vetme në zgjedhje, por rezultati ishte larg pritshmërive fillestare, teksa më shumë vota mori në Tiranë, 2434 të tilla ose e thenë ndryshe 0.59 %.