Biznesmeni Gjergj Luca ka replikuar me ironi me Sali Berishën, pasi ky i fundit i ka përmendur emrin në një emision. Berisha hodhi akuza se velieria e gjetur në portin e Sarandës që ishte në pronësi të Rozafës, ishte ndjekur nga italianët për kokainë. Vetë Luca përmes një postimi në Facebook, ironizion Berishën duke thënë se përse ia ka përmendur emrin pasi të dy kishin një gëzim, ish-kryeministrit i liruan dhëndrin, ndërsa Lucës velierën.
“O doktor, si u ngryse. Po ç’pate mor burrë që ma përmend emrin. Po ç’ke or burrë, të dy e kemi një gëzim sot, mua më liruan velierën, ty të liruan dhëndrin, t’u pirë verë ti andej, e unë këtej, t’u qenë në punë tonë, shkove më përmende emrin dhe më solle këtu me m’lënë gjithë natën se më kanë thërrit këta. Nga e morën vesh këta të PD, që këna marrë një arkë peshk, të rri unë të sqarohem tani më këta. Por ç’ke mor të lënash zotin që merresh me mua, se këna qenë miq dikur. Edhe ti e di shumë mirë që unë nuk prek tek e huaja, edhe unë e di shumë mirë për ty që ti nuk prek tek e huaja. Po na le or burrë, na lë, se na fike na le gjithë natën rrugëve or burrë. Jo mua, po le gjithë dynjanë. Hajde ma bëfsh gjumin e ëmbël”.
Gjegj Luca ka treguar se është në prokurori, ndërsa thotë se Berishën nuk e zë gjumi natën nga mëkatet, por emrin e tij përse e përmend.
“Eh mor Sali mor Sali, duhet të ishte një ditë gëzimi për ne të dy se mua më liroi gjykata velierën e ty të liroi dhëndrin por ti si gjithmonë gricesh natë e ditë edhe me rrobat e trupit e na le pa gjumë. Mirë ty që s’të zë gjumi nga mëkatet po unë ç’dreqin kam që rri zgjuar? Ja ku jam, duke e gdhirë në prokurori për një arkë peshk”, thotë Luca.