A ka gisht Rusia në shpërthimet që ndodhën përgjatë linjës së tubacionit të gazit “Nord Stream” më 26 shtator 2022? Duket se hetimet kanë marrë një kthesë të pabesueshme. Hetuesit gjermanë që merren me rastin kanë në dorë pista që mund të implikojnë Ukrainën me shpërthimet misterioze.
Dyshimet mbeten konkrete pavarësisht aktivitetit të dyshimtë detar rus në zonë vetëm disa ditë përpara shpërthimeve ende të pashpjegueshme në tubacionet që u ndërtuan për të transportuar gaz nga Rusia në Gjermani. Shpërthimet e shtatorit të kaluar shkaktuan dëme të mëdha në tre nga katër tubacionet “Nord Stream”, të cilave iu deshën 15 vjet për t’u ndërtuar, duke shkëputur lidhjen kryesore energjetike midis Rusisë dhe Perëndimit.
Disa kritikë vënë në dyshim se pse Vladimir Putin do të kishte interes të zvogëlonte fuqinë energjetike të Rusisë mbi Evropën duke hedhur në erë tubacionet jetike të gazit. Hetuesit gjermanë tani e kanë kthyer vëmendjen e tyre te “Andromeda” një jaht i marrë me qira nga një kompani polake nga porti i Gjermanisë veriore të Rostock-ut, vetëm disa javë përpara se të ndodhnin shpërthimet.
Teoria sugjeron se pesë burra dhe gra mbërritën në Gjermani duke përdorur pasaporta false bullgare dhe rumune përpara se të përdornin jahtin si bazë për të vendosur zhytës të trajnuar që kanë instaluar bombat rreth 70 metra nën nivelin e detit. Hetuesit gjermanë argumentojnë se sulmet mund të jenë organizuar me ndihmën e shërbimeve të sigurisë shtetërore dhe pretendojnë se kanë gjetur prova që mund të implikojnë Ukrainën, sipas gazetës Süddeutsche Zeitung.