Gjermania ktheu ditën e djeshme 24 tonë kastraveca, të prodhuar në Lushnje, për shkak se rezultuan me normë të lartë pesticidesh.
AKU u paraqit pranë pikës së grumbullimit, duke kërkuar asgjësimin e gjithë sasisë së kthyer nga eksport. E teksa kryhej ky aksion, fermerë nga Lushnja Fieri dhe Berati protestuan para pikës së grumbullimit, ku prej vitesh dorëzojnë perimet për eksport. Fermerët shprehen se preparati “oksamil” kanë vite që e përdorin dhe shitet në çdo farmaci bujqësore. Ata thanë se asnjë nga institucionet në vend nuk i ka njoftuar se “oksamil” është i ndaluar të përdoret gjatë rritjes së kastravecave në sera.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në një njoftim për mediat thotë se po bashkëpunon me institucionet e AREB dhe ARSHVMB, ku në bazë të sistemit të gjurmueshmërisë të administruar në pikën e grumbullimit do të vijohet me kontrollet në sera për përdorimin e pesticideve dhe respektimin e karencës së përdorimit të produktit.