Ambasada gjermane në Tiranë shprehet e shqetësuar mbi situatën aktuale politike në Shqipëri, ndërsa e cilëson si të gabuar rrugën e opozitës për të djegur mandatet. Përfaqësuesja e Berlinit në vendin tonë, ambasadorja Schütz bën thirrje për një protestë paqësore nesër para parlamentit, ndryshe nga ajo para Kryeministrisë që ishte e dhunshme.
“Duke mbajtur në vëmendje vendimmarrjen e BE-së për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duhet thënë, se nuk ka kohë për të humbur, në mënyrë që reformat të vijojnë dhe të arrihen rezultate konkrete.
Dhuna, sikurse e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Në këtë kontekst u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të japin kontributin e tyre, që protestat e ardhshme të zhvillohen në mënyrë paqësore. Edhe ata që organizojnë protestën mbajnë përgjegjësi, që situata të mos përshkallëzohet. Në këtë pikë ndaj të njëjtin qëndrim me Presidentin Meta në deklaratat pas bisedës së tij me Presidentin Federal Gjerman Steinmeier”, thotë ambasadorja Schütz.