Simone Biles, një nga gjimnastet më të vlerësuara në historinë e SHBA-së, ka lënë të kuptohet së fundmi se nuk ka gjasa të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të vitit 2028 në Los Anxhelos.
Në një intervistë për Sports Illustrated, Biles shprehu mendimin se rikthimi në një cikël tjetër olimpik mund të ishte një veprim që ajo nuk e dëshiron, duke marrë parasysh listën e gjatë të arritjeve të saj. Ajo theksoi se tashmë ka arritur gjithçka që dëshironte në karrierën e saj dhe se vendimi për të vazhduar do të kërkonte sakrifica të mëdha personale.
Në moshën 27-vjeçare, Biles ka shënuar suksese të papara në gjimnastikë, përfshirë tre medalje të arta dhe një të argjendtë në Lojërat Olimpike të Parisit 2024, duke e çuar numrin e medaljeve të saj olimpike në 11. Gjatë intervistës, ajo reflektoi për sakrificat që do të duheshin për një rikthim tjetër, si koha larg bashkëshortit të saj, lojtarit të NFL, Jonathan Owens, dhe shtyrja e planeve për të krijuar familje.
“Po të rikthehesh, do të jesh “e pangopur”. Këto janë pasojat. Por gjithashtu është një vendim që ti duhet të marrësh,” tha Biles.
Teksa disa fansa ndihen të zhgënjyer për mundësinë që ajo të mos garojë në vitin 2028, të tjerë respektojnë vendimin e saj për të vënë në prioritet mirëqenien dhe jetën personale.