Kryetarja e Komisionit të Edukimit, Flutura Açka reagoi përmes një letre në lidhje me nismën për t’i dhënë mandat të përjetshëm kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi. Edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa thotë se duke shkelur rregulloren po kërkohet që në Komisionin për Edukimin dhe mjetet e Informimit të hidhet për votim pa diskutim, pr/ligji që i hap rrugën Skënder Gjinushit të sigurojë një mandat të dytë në krye të Akademisë së Shkencave. Në një postim në facebook ajo akuzon ligjvënësit e PS-së, Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj si pirueta të Gjinushit për ta mbajtur atë në postin e kryetarit të Akademisë.
Postimi i plotë
“E paprecedentë! Gjinusho-deputetët, tentojnë të shkelin me këmbë ligjin dhe rregulloren! Sot Skënder Gjinushit i mbaron mandati në krye të akademisë dhe me pirueta pushteti do të siguroj një të dytë antikushtetues.
Që dje deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj të presionuar nga kryetari pa mandat Skënder Gjinushi, të vënë pas murit nga interesat e tij kërkojnë ta kthejnë kuvendin në shkelës të ligjit, si noter i ambicieve klaniste.Me një kërkesë të paprotokolluar, të pa arsyetuar nuk mund të mblidhemi jashtë programit të komisionit, tentojnë ti shkatërrojnë parlamentarizmin.
Kërkojnë votim të një projektligji sot në orën 11:00, pa diskutime!
Votim smund të ketë kur
1- Relacioni është i pasaktë dhe me mashtrime.
2- Projektligji vjen hapur në konflikt interesi, ku bashkë propozuesi Gjinushi, e kërkon për mandatin e tij
3- Akademia e Shkencave hyn në zgjedhje sipas statutit me mbarimin e mandatit të kryetarit.
4- Ka 3 kërkesa proceduriale në organet e kuvendit për këtë çështje.
5- Ska një sqarim shterues mbi peticionin e 52 akademikëve, na sillet për një vendim të 2022, dhe sot jemi në kushtet të tjera të zgjedhjeve në akademi. Duhet një dëgjesë me ta.
Ne jemi deputet që duhet të na shqetësojnë hallet e qytetarëve dhe jo hallet e karrierës 30 e ca vjecare të ish ministrit të diktaturës. Ndaloni palacollëkun dhe maskarallëkun!
Respektoni rregulloren dhe ligjet. Paguheni nga taksat e qytetarëve, jo nga borderoja e Gjinushit!