Seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion është shtyrë. Shkak është bërë kërkesa e avokatit Artan Gjermeni, i cili kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes. Gjermeni i është bashkuar ekipit mbrojtës të Veliajt.
Seanca e mëparshme u shty pas bojkoti të avokatëve, në shenjë proteste për ndalimin e avokatit Ulian Barjami, pas përplasjes që ndodhi me një prokuror në sallën e Gjykatës së Elbasanit.
Kujtojmë se më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga Erion Veliaj, i cili kërkonte zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” me një më të butë.
Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit, pasi akuzohet nga SPAK për ngritjen e një skeme korrupsioni dhe pastrimi parash, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij.
