Ish-ministrja e Drejtësisë, deputetja e PS-së, Etilda Gjonaj ka uruar për Ditën Kombëtare të Drejtësisë, ndërsa ndalet te përpjekjet e bëra për reformën në drejtësi. Në një postim në rrjetet social, Gjonaj thekson se “Roma nuk u ndërtua në një ditë! 7 vite nga miratimi i Reformës në Drejtësi nuk janë shumë për historinë e një vendi në përpjekjet për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe efikas për qytetarët e tij”.
Gjonaj nënvizon se pavarësisht kësaj, “7 vite prej marrjes së atij hapi historik nga Partia Socialiste dhe një procesi sa të vështirë po aq edhe sfidues, qytetarët po shohin dita-ditës rezultatet e kësaj reforme dhe dukshëm kanë forcuar besimin në institucionet e drejtësisë”. Për të falë përpjekjeve të shumëfishuara për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, të pakorruptuar, efiçent, llogaridhënës, transparent dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.
“E ndërsa sistemi vijon të rrisë efiçensën e tij për të patur standardet e një drejtësie europiane, një mirënjohje për të gjithë aktorët vendas dhe ndërkombëtare SHBA dhe BE, që punuan për këtë reformë historike si dhe për ata gjyqtarë dhe prokurorë, që me integritetin dhe profesionalizmin e tyre dëshmojnë standardet e një sistemi drejtësie të pavarur dhe të drejtë”, nënvizon Gjonaj në mesazhin e saj.
Ish-ministrja deklaron se Reforma në Drejtësi është mundësia e artë për të çelur derën e Shqipërisë në BE dhe për të ardhmen e vendit tonë.