Kryeministri Edi Rama ka postuar në faqen e tij në Facebook një video nga samiti i Poznanit, që po zhvillohet në Poloni.
Në videon e postuar, Rama është ulur krah homologut maqedonas Zoran Zaev dhe kancelares gjermane Angela Merkel.
Teksa presin që pjesëmarrësit e tjerë në samit të zënë vendet ata të tre shkëmbejnë batuta dhe shkrihen gazit me njëri-tjetrin. Zaev, që i ka zënë vendin Vuçiç në krah të Merkelit dhe ka gjithë vëmendjen e saj, duket qartë që i sugjeron përfshirjen e Ramës, që nuk është më në radhën e parë.
Ndërsa Merkel e pranon me sportivitet, kryeministri i Shqipërisë nuk mund ta fshehë gëzimin për oportunitetin që i dha homologu maqedonas, me shpresë se kjo do jetë një prelud i asaj që do të ndodhë në vjeshtë, kur Maqedonia, e sigurtë për “PO” në hapjen e negociatave, mund të tërheqë edhe shoqen e grupit Shqipërinë.
Duket qartë që batutat e shkurtra kanë qenë gazmore, por nuk merret vesh përmbjajtja e tyre. Duke qenë se Zaev është i njohur për bombat e tij, skandalet e ish-kryeministrit Gruevski, ndoshta kanë bërë një përmbledhje ose krahasim me përgjimet që kanë dalë në atdheun e Kancelares për Ramën.