Është konfirmuar dënimi për Moisi Habbilajn në Itali. Siç bëjnë me dije mediat italiane, gjyqtarët e seksionit të tretë të Gjykatës së Apelit të Katanias kanë zgjedhur të mos ndryshojnë vendimin e parë dhe të mos bëjnë asnjë zbritje nga dënimi për Habilajn.
Ai dënohet me 15 vjet, 5 muaj dhe 10 ditë burg siç është vendosur më 19 qershor 2019 në vendimin e Shkallës së Parë.
Lajmi është bërë me dije nga Meridionews.net, që shkruan se Habilaj në gjykimin e shkallës së parë kishte vendosur të fliste me magjistratët për të pranuar disa akuza dhe për t’i dhënë atyre informacione për çdo përfshirje të mundshme të kushëririt të tij në trafikun e drogës, ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri.
Kujtojmë se ish-ministri Tahiri u hetua gjithashtu nga zyra e prokurorit të Katanias, por dosja u mbyll.
Habilaj u arrestua në tetor të vitit 2017 në operacionin e koduar ‘Rosa dei Venti’.Banda e trafikantëve, e cila do të kishte Habilaj në krye, vepronte midis Shqipërisë dhe Sicilisë për të importuar sasi të mëdha marijuane, por edhe armë lufte në ishull.
Të gjitha do të kishin qenë të mundura falë një rrjeti tregtarësh me shumicë në zonë me marrëdhënie të drejtpërdrejta me klanet kryesore mafioze lokale.