Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u është vazhduar masa e paraburgimit nga gjykata Speciale e Hagës.
Vendimet për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit, janë marrë nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III më 16 tetor 2023.
Sipas këtyre vendimeve, më 25 shtator 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dërguar parashtresat e saj për rishikimin e masës së paraburgimit për Thaçin dhe Veselin.
Mbrojtja e Thaçit thuhet se ia kishte dorëzuar përgjigjet e tyre për këtë parashtresë më 29 shtator 2023, ndërsa ajo e Veselit më 5 tetor 2023.
ZPS kishte parashtruar se paraburgimi ndaj Thaçit vazhdon të jetë i arsyetuar dhe se nuk ka asnjë ndryshim që nga vendimi i fundit për parashkrim të kësaj mase si dhe ajo mbetet proporcionale.
Këtë gjë e kishte kundërshtuar mbrojtja e Thaçit.
Në arsyetimin e Gjykatës, thuhet se është i pamjaftueshëm justifikimi se Veseli dhe Thaçi mund të arratisen nga drejtësia, megjithatë thuhet se paneli është i bindur se ekziston rreziku se ata mund të pengojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të kryejnë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dëshmuar apo atyre që mund të ofrojnë prova në këtë rast.