Në një shkrim të publikuar në gazetën VIJESTI, dt 04.12.2024 (me autor Komnen Radeviq) njoftohet se, së fundi, Gjykata e Lartë e Republikës së Malit të Zi, ka konsideruar të paligjshme përmbajtjen e transkripteve të përgjimeve të aplikacionit të koduar “ANOM”. Madje kjo Gjykatë jo vetëm ka konkluduar se Transkriptet nuk përbëjnë “prove” në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër disa të pandehurve, por edhe ka urdhëruar heqjen/përjashtimin e këtyre transkripteve nga fashikulli i gjykimit dhe vendosjen e tyre në një zarf të mbyllur.
Sikurse është bërë e ditur edhe në mediat e vendit tonë, në çështjen e bujshme penale që po zhvillohet në kryeqytetin e vendit fqinj, akuzat e ngritura kunder te pandehurit Milan Jankoviq dhe të pandehurve të tjerë për veprat penale të kryera në kuadër të organizatës kriminale, jane bazuar në të dhënat e përgjimeve të komunikimeve të koduara, të aplikacionit ANOM, të cilat ishin dorëzuara me letërporosi, nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, me shkresën e datës 28 qershor 2022 dhe gjendeshin në memorien e një USB.
Dihet botërisht se aplikacioni ANOM lejonte komunikimet e koduara telefonike dhe se u krijua nga FBI dhe policia australiane si pjesë e Operacionit Trojan Shield me shtrirje ndërkombëtare, për të luftuar krimin e organizuar, posaçerisht në fushën e narkotikeve. Pra ky aplikacion ishte një GRACKË e ngritur nga FBI dhe autoritetet e tjera policore dhe thuhet se u bazua në bashkëpunimin e një të penduari. Nga të dhënat teknike del se ky aplikacion i ka paraprirë platformave Encrochat dhe SkyECC dhe gjendej i instaluar në telefonat e personalizuar, pa funksione të tjera. ANOM pati një shtrirje në vendet e ballkanit (Kroaci Serbi, Bosnje Hercegovinë, Mali i Zi), Austri e më gjerë, duke u përfshirë rreth 3000 aplikantë nga më të njohurit në mesin e organizatave kriminale të këtyre vendeve.
Sipas njoftimit del se përfaqësuesja e Prokurorisë Speciale të shtetit, kishte pretenduar vërtetimin e akuzave duke u mbështetur edhe në të dhënat e Transkripteve të ardhura në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, në një USB, por Gjykata e Lartë e vendit fqinj, ka konstatuar se provat janë juridikisht të pavlefshme, prandaj ka marrë edhe vendimin që ato të hiqen nga përmbajtja e fashikullit të gjykimit duke urdhëruar mbajtjen e tyre të ndara nga aktet e tjera shkresore të dosjes gjyqësore.
Detaje më të plota do të bëhen publike pasi të kemi kopjen e përkthyer zyrtarisht të vendimit të Gjykatës së Lartë të Republikës së Malit të Zi, por evidentojmë se kjo qasje është në përputhje me jurisprudencën e GJED (30 Prill 2024) dhe me jurisprudencën e fundit të GJEDNJ (24 shtator 2024) si dhe konfirmon qëndrimin e mbrojtjes në procesin gjyqësor për çështjen me të pandehurin Pëllumb Gjoka etj.
Madje, sikurse dihet, për këto problematika që lidhen me përgjimin e platformës së koduar SkyECC dhe papërdorshmërinë e rezultateve të tyre të ardhura me letërporosi, në një CD, presim së afërmi edhe verdiktin e Gjykatës Kushtetuese..