Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se do të dëgjojë në 10 janar argumentet për kushtetueshmërinë e një ligji federal që mund të ndalojë veprimtarinë e TikTok në SHBA, nëse platforma sociale e drejtuar nga kompania kineze ‘ByteDance’ nuk e shet atë. Ligji i miratuar në prill të vitit 2024, vendos një afat deri më 19 janar për shitjen e TikTok, përndryshe do të ndalohet në SHBA.
Çështja do të shqyrtojë nëse ky ligj shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës, që mbron lirinë e fjalës. TikTok ka mbi 170 milionë përdorues në SHBA, dhe avokatët e saj kërkojnë që gjykata të veprojë para afatit të 19 janarit, duke paralajmëruar se një ndalim i përkohshëm mund të dëmtonte masivisht përdoruesit dhe të ardhurat nga reklamat.
Një panel i Gjykatës së Apelit e mbështeti ligjin në dhjetor, por çështja mbetet e hapur deri në vendimin final të Gjykatës së Lartë.
