Federata Shqiptare Futbollit ka vendosur që një nga ndeshjet e kësaj jave në Kategorinë Superiore të drejtohet nga gjyqtarë të huaj. Kjo është pjesë e projektit të bashkëpunimit që ka FSHF me Federata të tjera homologe si ajo e Luksemburgut apo ajo e Maltës. Gjyqtarë nga Luksemburgu do të jenë ata të cilët do të drejtojnë në aktivitetin e kësaj javë në elitën e futbollit shqiptar dhe tashmë FSHF ka përcaktuar edhe cilën sfidë do të kenë në mbikëqyrje.
VIP Sport ka mësuar se ndërkombëtari Alen Durio, si dhe asistentët e tij, Zhil Beker dhe David Mateus Santos, do të ndajnë drejtësinë në takimin ku luan kryesuesja e kampionatit, Partizani. Ata do të jetë në ndeshjen që të kuqtë zhvillojnë në Vlorë ndaj Flamurtarit vendas, një duel i rëndësishëm si për luftën për titullin kampion, ashtu edhe për pjesëmarrjen në Europë, duke llogaritur që vlonjatët janë kandidatë për të siguruar një vend në arenën ndërkombëtare.
Mendohej se gjyqtarët nga Luksemburgu do të ishin në drejtim në një nga ndeshjet ku luajnë skuadrat për mbijetesë, por FSHF ka vendosur që t’i dërgojë ata në sfidën ku luajnë skuadrat e kreut, duke i mbajtur larg sfidave të cilat mund të jenë më të tensionuara.