Gani Dizdari, anëtar i Gjykatës Kushtetuese ka humbur betejën edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Mëngjesin e kësaj të mërkure KPA vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e shkarkoi nga detyra më 16 korrik të vitit të kaluar.
Gjyqtari kushtetues u vendos në pozitë të vështirë për lidhjen e tij me nipin, i cili rezulton se është i dënuar për çështjen e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, edhe pse kjo vepër nuk është në rrethin e veprave të krimit të organizuar.
Gjithashtu, u penalizua edhe nga një borxh që ia ka marrë së bijës. Sipas KPK-së, dy shtetasit që i kanë dhënë një borxh prej 55 mijë eurosh nuk kanë rrethanat dhe mundësitë për të huazuar para’.
Gani Dizdari nuk u paraqit në asnjë nga seancat e vetting-ut. Avokati i tij, pas vendimit, hodhi pikëpyetje për mënyrën se si po gjykohen njerëzit e drejtësisë nga KPK-ja. Gjithçka, sipas tij, ka lidhje me standardet.
Aktualisht vendi është në krizë kushtetuese, pasi Gjykata nuk është funksionale, ku ka mbetur me vetëm dy anëtarë. Kjo pasi, të tjerët nuk e kaluan me sukses vettingun.