Babai i gjyqtares Enkelejda Hoxha, e cila u la sot në burg nga Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar ndihmë për fëmijët e të arrestuarës. Në një prononcim për kamerat, ai është shprehur se vendimi i gjykatës i duket një një betim të Gjykatës ndaj kryeministrit të republikës, Edi Rama.
Sipas babait të Hoxhës, gjyqtarja është një person që ka punuar në mënyrë shembullore. Babai i Hoxhës tha se më tej se dikush duhet të pyesë kryeministrin Edi Rama se çfarë duhet të bëjë me dy fëmijët e gjyqtares që tashmë kanë mbetur jetim, dhe njëri prej tyre është autik.
“Unë këtë vendim unë e quaj një betim të Gjykatës ndaj kryeministrit të republikës. Pse? Vendimi nuk ka bazë konkrete por është në kuadrin e hamendësive dhe të trillimit. Ajo s’ka marrë para, ajo s’ka thurr intriga dhe nuk është drejtuese e një strukture armiqësore, e cila mund të quhet kështu sepse si ajo masa e ndalimit dhe tani janë betim ndaj problemeve që ka kryeministri ndaj kësaj gjyqtareje.
Ky vendim ka dëmtuar jo vetëm atë dhe imazhin e saj si një gjyqtare shembullore dhe të përkushtuar, por ka lënë pa kujdes prindëror një fëmijë autik, dy javë më parë dhe tani janë prapë të vetmuar. Kush do t’i shërbejë dy fëmijëve që ka lënë ajo, unë jam me parkinson gjyshja është e sëmurë? Ju lutem shumë më thoni ku do t’i shpie keta dy fëmijë, dy jetimët që ngelen në mes të rrugëve dhe i kanë lënë njëri pas tjetrit. Merrni kryeministrin sot dhe i thoni ku do t’i shpie këta dy jetimë. Ju lutem, faleminderit dhe pres përgjigje për poblemin që ngrita,”- tha ai.
Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë sot masat për nëntë të arrestuarit, pjesë e dosjes së Krujës, të cilët u arrestuan paraditen e 11 shkurtit, brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Krujës. Apeli i GJKKO-së ka vendosur të lërë në burg gjyqtaren Enkelejda Hoxha, avokatin Aldo Tabaku, sekretaren e Gjykatës së Krujës Manuela Mallkuçi dhe gjashtë të arrestuarit e tjerë, si pjesë e kësaj dosjeje. Ndërsa për kardio-kirurgun Edvin Prifti, Apeli ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”, duke lënë në fuqi edhe pezullimin e tij nga puna.