Për më shumë se 1 orë, ish-numri dy i Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi, dëshmoi për përplasjen e makinës së Policisë përballë tregut agro-ushqimor, ndërsa e konsideroi atë si të fuqishme dhe që kishte rrezikuar jetët e policëve.
Procesi gjyqësor, ku të pandehur janë marrë Suel Çela, Enea Bekteshi dhe Klemend Xhaferri, është në fazën e marrjes së dëshmive, ndërsa këtë të enjte, mbi atë çfarë ndodhi dy vite më parë dëshmoi Oshafi, i cili është edhe në cilësinë e viktimës në proces.
Sipas tij, në momentin që ka ndodhur përplasja, ishte duke u futur në mjet dhe se makina “Audi” me shpejtësi i përplasi dhe u fut në treg, ndërkohë porta u mbyll menjëherë. Për rreth 40 minuta ka qëndruar i mbyllur tregu, tha Oshafi, ndërsa kanë pritur mbërritjen e Forcave Speciale për të ndërhyrë. Pavarësisht rrethimit dhe mbërritjes së tyre, porta është hapur vetëm pas ardhjes së pronarit të tregut dhe pas kësaj, janë bërë veprimet hetimore.
I pyetur nga Gjykata, nëse kishte arritur të identifikonte drejtuesin e mjetit, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Elbasanit u përgjigj se jo. Oshafi arriti të përshkruante vetëm disa karakteristika fizike të personit që drejtonte “Audi”-n e blinduar, duke thënë se ishte me fytyrë të rrumbullakët, i mbushur, me kapele ushtarake dhe rreth 30-35 vjeç. Më tej, në dëshminë e tij, Oshafi tregoi se çdo gjë kishte nisur pas një telefonate të një shtetasi me inicialet S.T., se në tunelin e Kërrabës disa persona me makina i kishin bërë manovra duke e kërcënuar. Pas kësaj, tha Oshafi, kemi shkuar në vendin e përshkruar nga personi dhe pasi këqyrëm kamerat e sigurisë së tunelit, konstatuam se ngjarja ishte e vërtetë.
TELEFONATA
Në dëshmi, ish-zëvendësdrejtuesi tregoi edhe për një telefonatë tjetër, ku një person i revoltuar i kishte thënë se kanë vrarë Kolin dhe akuzonte shtetin që nuk bënte asgjë. “Kam marrë një telefonatë nga një person me mbiemrin Muça, i cili më thoshte që e vranë Kolin, çfarë bën shteti. Ai ishte goxha i revoltuar me shtetin dhe gjatë gjithë telefonatës ishte i tillë”, tha Gjergji Oshafi. Ky i fundit, më tej, konfirmoi se në ambientet e brendshme të tregut kanë konstatuar tunel të nëndheshëm, nga ku dyshonte se ishte larguar personi që drejtonte mjetin.
DËSHMIA
Gjatë kësaj kohe kam qenë zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Kemi qenë në zbatim të planit të masave për operacionin “Vjeshtë 2017”, për kontrolle ndaj makinave luksoze dhe personave të skeduar. Gjatë kontrolleve, jemi njoftuar nga specialisti i hetimit Gerald Agalliu për një ngjarje në tunelin e Kërrabës. Mbaj mend se në njoftim më është thënë për një person me emrin Koli, që kishte denoncuar se po e kërcënonin. Jemi nisur drejt tunelit, sepse menduam mos kishte ndonjë viktimë, kjo përshtypje u la nga njoftimi. Ne jemi nisur për aty, kemi kontaktuar me sallën dhe kemi ngritur pika kontrolli, një ndër pikat, edhe në Bradashesh.
Ndërkohë, nga pamjet e kamerave të sigurisë që pamë në tunelin e Kërrabës rezultoi se ngjarja ishte e vërtetë. Në këto pamje rezultonte se një mjet ishte vënë në mes nga tre mjete, që duket se e ngushtonin. Kështu veprojmë edhe ne, në rastet kur bëjmë ndalime të automjeteve. Sapo konstatuam se ngjarja ishte e vërtetë, nisëm veprimet, duke kryer kontrolle për një “Audi” të zi dhe një “Range Rover”. Në kryqëzimin e Bradasheshit kemi konstatuar një automjet “Range Rover” të zi dhe e kemi vënë në ndjekje.
Përballë portës së tregut e ndaluam dhe ata iu bindën urdhrit të ndalimit. Një prej personave që ishte në makinë donte të linte radiomarrësin që kishte në dorë, veprim të cilin ia ndalova dhe urdhërova shoqërimin e tyre dhe të makinës në Komisariat për verifikime. Gjatë këtij momenti, ishim shumë mirë, të qetë dhe po përgatiteshim për t’u larguar. Ndërkohë, në radio na është komunikuar se po vjen një “Audi” i blinduar dhe pak sekonda më pas ndjeva një kërcitje të fortë.
Gjatë këtij momenti, dëgjova disa thirrje “Ndal, Policia!” dhe zhurmë qitjeje. Pas goditjes, kam nxjerrë armën instinktivisht, kam pyetur punonjësit e tjerë të Policisë nëse janë mirë dhe u kam thënë, kujdes të shoqëruarit. Ndërkohë, makina “Audi” është futur në treg dhe dera është mbyllur. I kërkuam rojës të hapte, duke iu prezantuar se kush ishim, por ai nuk u bind. Veprimi i parë që kemi bërë, pasi konstatuam se askush nuk ishte i lënduar, ishte të rrethonim vendin, por nuk bëmë ndërhyrje, duke pritur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-n.
Në ambientet e tregut konstatuam edhe dy mjete të tjera të blinduara dhe tunel të fortifikuar, nga ku dyshoj se janë larguar drejtuesit e mjetit. Në këto momente janë shoqëruar të gjithë personat që ishin në treg dhe janë kryer veprimet e tjera procedurale. Në lidhje me drejtuesin e mjetit nuk kam arritur ta identifikoj, pasi nuk e kam parë. Ai ishte me kapele ushtarake në kokë, me fytyrë të rrumbullakët, i mbushur dhe 30-35 vjeç. Ndërkohë, në vendin e pasagjerit në mjet nuk pashë asnjë person. Goditja ishte shumë e fortë, pasi mjeti ishte i blinduar dhe për mjetin tonë ishte shumë. Prapakolpi i makinës u shkëput komplet dhe lëvizi disa metra më tutje. /panorama