Për Elvis Shkambin, vrasësi i gjykatësit Astrit Kalaja është hapur një ”Go Found Me”, ku kërkohet ndihmë financiare për shpenzimet e gjyqit, nën moton: “Drejtësi dhe Përfaqësim i Drejtë për Elvis dhe Gjon Shkambin”. Në vetëm pak orë janë mbledhur mbi 9 mijë dollarë nga 31 donacione, ku bie në sy se ka persona që kanë dhuruar shuma prej 1000 dollarë.
Targeti i vendosur është 14 mijë dollar ndërsa në mesazhin e shpërndarë nga organizatori Francesk Shkambi thuhet: “Përshëndetje! Dua të ndaj me ju një kauzë që ka vërtet nevojë për mbështetjen tonë: të drejtat ligjore të Elvis dhe Gjon Shkambit, të cilët po përballen me një betejë të dhimbshme për përfaqësim të drejtë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Kontributi juaj, sado i vogël, do të ketë një ndikim domethënës në luftën e tyre për drejtësi, ndaj ju lutemi të merrni në konsideratë mundësinë për të dhuruar ose për të ndarë këtë link me të tjerët që mund të ndihmojnë. Faleminderit që po e merrni kohën për të mbështetur këtë kauzë të rëndësishme!”.
