Katër autorët e grabitjes së argjendarisë në Kamëz pasditen e së martës, humbën gjurmët në afërsi të aeroportit të Rinasit.
Pikërisht në këtë zonë është dhe silueta e fundit ku ata janë ekspozuar në kamerat e sigurisë, teksa lëviznin me automjetin tip BMW X6 me targa të vjedhura.
Pamjet e e kamerave të administruara në këtë zonë janë tejet të dobëta përshkak se rruga e përshkruar nga grabitësit nuk ka patur ndriçim.
Duke përfituar nga ky fakt, edhe përpara grabitjes ata kanë përshkruar të njëjtin itinerar. Pra nga rruga e Rinasit, kanë kaluar në zonën e Valiasit, për të dalë në rrethrrotullimit e rrugës Donald Trump që të çon më pas tek argjendaria ku u morën rreth gjysmë kilogramë flori.
Gjithashtu nga verifikimet makina e përdorur në grabitje, nuk rezulton të ketë lëvizur në zonën e Kamzës të paktën në ditët e fundit çka ngre dyshimet se autorët të kenë vëzhgur argjendarinë me një automjet tjetër ose në këmbë.
Nisur nga dinamika e realizimit të ngjarjes, si dhe fakti se autorët nuk kanë lënë asnjë gjurmë, qoftë dhe tek bizhuteritë që u ranë teksa largoheshin, ka shtyrë hetuesit të dyshojnë se kanë qenë profesionistë.
Madje nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë përfshirë dhe më parë në grabitje të tilla.
