Partia Demokratike ka reaguar sërish duke iu kundërpërgjigjigjur akuzave të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke theksuar se ai kërkon të fshehë mungesën e sigurisë duke sulmuar opozitën. Numri dy i PD-së, Gazmend Bardhi thotë se e vërteta është që policia nuk është në krye të detyrës.
“Llesh Kimiku kërkon të fshehë dështimin dhe mungesën e sigurisë duke sulmuar opozitën! E vërteta është se policia nuk është ne krye te detyrës për të parandaluar krime te renda si ky sot. Kllouni i Ramës e ka kthyer në polici private të pushtetit kriminal!”, thotë Bardhi në reagim.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka sulmuar Policinë e Shtetit dhe Qeverinë Rama se kanë prioritet luftën ndaj qytetarëve dhe jo të mbrojnë perimetrin e sigurisë së Aeroportit.
Sipas PD-së, forcat e policisë ishin të angazhuara sot për të larguar banorët e Bregut të Lumit, ndërkohë që në Rinas u grabit brenda pistës së avionëve sasia e konsiderueshme e parave.
“Kur Policinë e angazhon kundër qytetarëve, që mbrojnë strehën e fëmijëve të tyre apo protestojnë kundër Qeverisë, me vetëdije i hap rrugën grabitjeve me armë në zonën më të sigurt në vend (brenda perimetrit te sigurisë në Aeroportin e Rinasit) apo vrasjeve të tipit mafioz në zonat më të populluara.
Është çështje prioriteti! Edi Rama ka prioritet luftën me qytetarët dhe jo luftën me krimin.
Me 13 Prill, protestojmë edhe për të kthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës, për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo banditëve e grabitësve në pushtet. #13Prill #RamaIk”, thekson Bardhi.