Në kuadër të mbledhjes së Byrosë së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Presidenti Ilir Meta është takuar me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger.
Ata kanë diskutuar për situatën politike në Shqipëri, dhe mënyrën se si OSBE mund të ndihmojë. Gjithashtu dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për marrjen e kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria në 2020 dhe se si ajo të jetë e suksesshme. Këtë bëri të ditur vetë Greminger, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ndërkaq, kreu i shtetit Ilir Meta mbajti fjalën e tij në këtë mbledhje si i ftuar nderi. Ai falënderoi Presidentin Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm Greminger për mbështetjen e Kryesisë shqiptare të OSBE në 2020-n, që padyshim do të ketë një komunikim intensiv dhe bashkëpunim me Zyrën e Asamblesë së Përgjithshme, me Sekretariatin e OSBE-së dhe të gjitha institucionet autonome të OSBE-së.

Kreu i Shtetit vleresoi rolin gjithnjë e në rritje të Asamblesë Parlamentare, veçanërisht në monitorimin e zgjedhjeve, që ndihmon mbrojtjen e demokracisë, sigurisë dhe besimit në gjirin si dhe ndërmjet shteteve pjesëmarrëse.
Presidenti theksoi se eshtë me rëndësi të madhe që OSBE-ja të mbetet një platformë për dialog, bashkëpunim dhe siguri si dhe të bëjë më shumë edhe për të ndihmuar vendet e rajonit drejt rrugëtimit të tyre europian dhe euroatlantik.
