E prekur nga kriza ndërkombëtare e çmimeve, por edhe nga kaosi me aeroportet europiane, Greqia po rikthehet fuqishëm në këtë sezon veror. Një raport i fundit i Forwardkeys, zbulon se gjashtë destinacionet greke janë në top listën e prenotimeve në Evropë.
Një nga avantazhet e shtetit fqinj këtë sezon është fakti se autoritetet vendosën të lehtësojnë masat kufizuese shumë më herët duke i lejuar qytetarët të bëjnë prenotime edhe më herët dhe të jenë gati të shijojnë verën.
“Kemi një rritje prej 20% të mbërritjeve ajrore në krahasim me vitin 2019, i cili ishte gjithashtu një vit i mrekullueshëm. Edhe lundrimet në dete janë rritur me 25%. Presim që ky sezon të SHTOJË në ekonomi rreth 20 miliardë euro. Në vitin 2019 arritëm në 18 miliardë. Kemi çdo arsye për të qenë optimistë”, thotë Angela Gerekou, Drejtore e Organizatës Kombëtare të Turizmit.