Tubimet me shumë njerëz? Basha përgjigjet se: Nuk është Covid-i shqetësimi i tij, shqetësimi i tij i vetëm është që ai nuk ka asgjë për t’ju thënë shqiptarëve dhe në këtë fushatë siç e ka nisur do ta bitisë duke u marrë me fushatën time
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha foli sonte edhe për grumbullimin e qytetarëve në takimet që ai po zhvillon në të gjithë vendin.
Duke komentuar akuzat e Ramës se po provokohet përhapja e koronavirusit, Basha tha: “Nuk është Covid-i shqetësimi i tij, shqetësimi i tij i vetëm është që ai nuk ka asgjë për t’ju thënë shqiptarëve dhe në këtë fushatë siç e ka nisur do ta bitisë duke u marrë me fushatën time”.
Lulzim Basha pranoi se ka shumë qytetarë në takimet e tij: “Pa diskutim që ka një numër shumë të madh njerëzish që dalin spontanisht në rrugë ndërkohë që unë shkoj në aktivitete”.
Në vijim ai shpjegoi se në të gjitha rastet bën thirrje për distancë dhe maskë, flet fare shkurt, gjithnjë në mjedise të hapura dhe në ato të mbyllura, pa grumbullime.
Ai tha se jep shembull personal për mbrojtjen nga kovidi sikurse gjithnjë bën thirrje për të respektuar distancimin fizik:
“Unë marr të gjitha masat e nevojshme dhe jam i pari që në mënyrë rigoroze mbaj maskën, bëj thirrje për mbajtjen e maskës, bëj thirrje për distancë dhe aktivitetet i kryej në vende të hapura”.
Basha theksoi se “kur i kam në vende të mbyllura i kam me normat me numrin e kufizuar të personave. Por nga ana tjetër e kam të pamundur të kufizoj entuziazmin e njerëzve që vijnë dhe ky është një moment për tu analizuar”.
“Me të vërtetë ata shpërfillin një rrezik që nuk duhet ta shpërfillin, por mesa duket dëshira për ndryshim apo ta them siç e thonë ata “Na ka ardhur në majë të hundës. Nuk durojmë dot më. Mezi presim datën për ta votuar për ta hequr, për të ndryshuar”. Kjo është arsyeja e atyre grumbullimeve për të cilat siç e keni parë unë mundohem vetë i pari, i bëj thirrje, të mbajnë maskat, të mbajnë distancën. I keni parë i përshëndes sa më shkurt dhe vazhdoj”, tha Basha.
Por a është ky problemi i Shqipërisë sot, shtroi pyetjen Basha dhe tha: “Jo. Pse s’është problemi i Shqipërisë ky sot? Nuk e di cili prej jush pa pirë kafe te Blloku sot? Mjafton të shkosh tek Blloku ose tek një nga rrugët e Tiranës dhe do të shikosh që kafetë janë plot me njerëz”.
“Që ky është një shqetësim i drejtë absolutisht po. Unë bëj gjithçka në fushatën time për t’ju përmbajtur rregullave dhe kjo është e vërtetë që e kam të pamundur, unë stafi, partia të kontrollojmë mbledhjen e njerëzve në përmasa të tilla dhe kjo është evidente dhe shprehje e entuziazmit të njerëzve dhe e dëshirës për ndryshim. Por nuk ka hipokrizi më të madhe sesa kjo që bën ky që nuk ka fut një autobus shtesë. Shiko si e ke situatën e autobusëve, kafet i ke plot” tha Basha.