Grupi i armatosur Hezbollah mori përgjegjësinë për një sulm me raketa nga Libani në drejtim të Izraelit, mëngjesin e kësaj të mërkure. Izraeli u godit më 7 tetor nga një sulm i papritur prej Hamasit, u përgjigj me zjarr artilerie në Libanin jugor, duke nisur një front të ri lufte.
Kur u formua Hezbollahu?
I themeluar në vitin 1982 nga Garda Revolucionare e Iranit dhe i klasifikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore si organizatë terroriste, Hezbollahu është grupi më i fuqishëm në Liban, për shkak të një milicie të armatosur rëndë, që luftoi disa luftëra me Izraelin. Hezbollahu është lëvizje politike dhe ushtri guerile, e cila mbështetet nga popullata shiite e Libanit. Arsenali i tij është shkak i mosmarrëveshjeve të shpeshta në këtë vend. Grupi thotë se armët i nevojiten për ta penguar Izraelin. Por, kundërshtarët e tij thonë se ai e minon shtetin, duke marrë vendime për luftën dhe paqen, që e prekin të gjithë kombin.
Roli në Liban
Grupi ka ministra në qeveri dhe ligjvënës në parlament. Ai i ka treguar “muskujt” edhe në rrugë. Në vitin 2008, një luftë për pushtet me kundërshtarët libanezë të mbështetur nga Perëndimi dhe Arabia Saudite, është shndërruar në konflikt të shkurtër. Luftëtarët e Hezbollahut kanë pushtuar disa pjesë të Bejrutit, pasi qeveria është zotuar se do të ndërmarrë veprime kundër rrjetit të komunikimit ushtarak të grupit.
Në vitin 2016, politikani i krishterë aleat i Hezbollahut, Michel Aoun, është bërë president. Dy vjet më vonë, Hezbollahu dhe aleatët e tij kanë fituar shumicën parlamentare. Kjo shumicë ka humbur në vitin 2022, por grupi ka vazhduar të ushtrojë ndikim të madh.
Grupi ka bërë fushatë edhe kundër një gjyqtari që ka hetuar shpërthimin në port të Bejrutit në vitin 2020, pasi ai ka kërkuar marrjen në pyetje të aleatëve të tij. Përplasja ka shkaktuar përleshje vdekjeprurëse në Bejrut në vitin 2021.