Gjykatësja e procedurës paraprake vendosi për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt, lidhur me aktakuzën për pengim të administrimit të drejtësisë.
Kështu u bë e ditur nga zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep, në konferencën javore të enjten. Griep tha se në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kishte zhvillime të rëndësishme gjatë muajve mars dhe prill, ku theksoi se më 26 mars, trupi gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë për të lejuar një dëshmitar të dëshmonte përmes video-lidhjes për arsye shëndetësore dhe sigurie, vendim ky i bërë publik më 4 prill.
Zëdhënësja shtoi se më 3 prill, po i njëjti trup gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë për të pranuar si provë deklaratën me shkrim të një dëshmitari, pa u marrë në pyetje nga pala tjetër, pasi u konsiderua deklaratë relevante dhe e mbështetur nga dëshmitarë të tjerë që janë marrë në pyetje nga mbrojtja, duke theksuar se deklarata nuk lidhet drejtpërdrejt me sjelljen e të akuzuarve. Gjithashtu, ajo tha se në këtë proces gjyqësor, trupi gjykues pranoi pjesërisht dëshmitë me shkrim dhe provat materiale të shtatë dëshmitarëve të tjerë, duke vlerësuar vetëm ato që ishin autentike dhe mbështetshme. Tha se provat me mungesë mbështetshmërie u refuzuan.
Një ditë më pas, më 4 prill, Griep theksoi se Gjykata pranoi pjesërisht disa dokumente të Zonës Operative të Nerodimes, duke i konsideruar si prova valide vetëm ato që kishin tregues të mjaftueshëm autenticiteti. Zëdhënësja e DhSK-së përmendi edhe vizitën e Hashim Thaçit, e cila u bë për arsye humanitare, pas vdekjes së babait të tij. Tha se ky vendim u mor duke marrë parasysh akuzat ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë dhe rrezikun e ndërhyrjes në procesin gjyqësor.
Më 3 prill në çështjen e ndarë për pengim të administrimit të drejtësisë, Paneli i Apelit hodhi poshtë tri nga katër pikat e apelit të Prokurorisë, por miratoi pikën e katërt, duke konstatuar se forma e tretë e nxitjes sipas Kodit Penal të Kosovës është e aplikueshme. Kjo çështje është kthyer tek gjykatësja e procedurës paraprake për rivlerësim të mundshëm të një akuze shtesë.