Galeria Kombëtare e Arteve rihapi dyert për publikun në 18 maj, por situata e pandemisë ka lënë pasoja. Hapja është shoqëruar me frikë, ndaj numri i vizitorëve është ulur. Galeria parashikon që në të ardhmen të vazhdojë si normalisht me projektet, duke çelur në qershor ekspozitën me skulptura nga fondi i saj.
Muzetë, galeritë dhe institucione të tjera të artit dhe kulturës në vend u rihapën në datë 18 maj, pas thuajse 2 muajsh mbyllje për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pavarësisht se situata ka ndryshuar dhe vendi po shkon drejt hapjes totale pak nga pak, duket se frika vazhdon të ekzistojë ende tek qytetarët.
Galeria Kombëtare e Arteve është njëri prej institucioneve që hapi dyert për publikun me dy ekspozitat që ishin si vazhdim nga viti i shkuar “Tirana Patience” dhe “Urimet më të mira për 1999”. Por numri i vizitorëve ka qenë mjaft i ulët gjatë kësaj kohe dhe në një vëzhgim të bërë nga “Shekulli” gjatë orarit 14:00-15:00 sallat e ekspozitës shiheshin të zbrazura.
Specialisti i marketingut Evald Shehu tregoi se gjatë kësaj kohe nuk janë nxjerrë ende statistika, por sigurisht numri i vizitorëve ka qenë më i ulët. Përveç pandemisë në këtë fakt ka ndikuar edhe rrethimi i Galerisë për shkak të protestave që shoqëruan shembjen e Teatrit Kombëtar. Ashtu si në çdo institucion në Galeri janë marrë masa për mbrojtjen e qytetarëve, të cilët duhet të futen brenda me maskë dhe nuk lejohen më shumë se 5 vizitorë brenda një salle.