Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratisllav Gashiç, njoftoi se në ditët në vijim do të hapet një shtab policor në Preshevë, në jug të Serbisë dhe se do të intensifikohen veprimet në zonën kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Eksperti i sigurisë, Taulant Elashani tha në një intervistë për Euronews Albania se gjithçka është pjesë e presionit që regjimi i Vuçiç do të bëjë ndaj shqiptarëve të Preshevës.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës përbëjnë një hallkë shumë të rëndësishme të faktorizimit të mëtejshëm të elementit shqiptar në Ballkan dhe prandaj regjimi i Vuçiç godet qëllimisht këtu. Represioni i regjimit të Vuçiç në Luginën e Preshevës është shumë dimensional, siç e përmendët ju stacioni policor, kjo është formë e represionit, shuarja e adresave gjithashtu. Vetë prania e forcave shtesë të policisë nënkupton masa represioni. Policia dihet çfarë institucioni është, institucion i zbatimit të ligjit. Themelimi i stacioneve, apo i këtyre metodave që konsiderohen të përhershme janë vetëm një metodë shtesë në represionin e mëtejshëm të regjimit të Vuçiç mbi shqiptarët e Preshevës,” – u shpreh Elashani.