Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj foli me vlerësime për marrëveshjen e Uashingtonit nënshkruar në muajin shtator me Serbinë, u ndal të diskutonte për çështjen e dialogut dhe sidomos problematikat që e kanë shoqëruar atë me dyshimet për shkëmbime territoresh.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të saj (UÇK), Ramush Haradinaj tha në një intervistë me gazetarin Franko Egro në Balkan Talks se marrëveshja e mundshme me Serbinë ka nevojë të domosdoshme për përfshirjen në dialog të udhëheqësve të mëdhenj të Bashkimit Evropian si kancelarja Merkel apo dhe presidenti francez Macron.
Gjatë intervistës në Balkan Talks, Haradinaj foli me vlerësime për marrëveshjen e Uashingtonit nënshkruar në muajin shtator me Serbinë, u ndal të diskutonte për çështjen e dialogut dhe sidomos problematikat që e kanë shoqëruar atë me dyshimet për shkëmbime territoresh.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) rikujtoi skepticizmin e shprehur prej tij ndaj ish-përfaqësueses për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini në ndërmjetësimin e dialogut dhe qasjen e ngjashme edhe me emërimin së fundmi nga BE të një emisari për dialogun siç është Miroslav Lajçak. Sipas Haradinajt, Kosovës i duhej e njëjta qasje si ajo e SHBA nga BE-ja, që dialogu të merrej përsipër nga udhëheqësit e shteteve si Gjermania apo Franca, siç bëri në rastin e tij Donald Trump.
Gazetari Franko Egro e pyeti Haradinajn për kërkesën që Lajçak bëri për rishqyrtimin e Kushtetutës për t’i dhënë mundësi zbatimit të marrëveshjes së dakordësuar për asosacionin e komunave serbe. Kryetari i AAK-së tha se kjo do të krijonte dy precedentë, së pari do të bënte që ekzekutivi do të dilte nga funksioni i interpretimit të Kushtetutës dhe i dyti do të bënte që Kosova do të dilte nga qëndrimi i BE-së së asaj kohe se “Kosova e zbaton asosacionin në përputhje me Kushtetutën e saj”.
“Ne s’mundemi të dalim nga detyrimet e tilla, që janë të paraleazueshme, mirëpo Lajçak ndodhet në këtë situatë që në vend që ta mbartë përgjegjësinë në njërën palë për ngecjen në dialog, ose të bëhet palë me Serbinë për të mbartë përgjegjësinë te Kosova si dikur me taksën, se taksa e ka bllokuar dialogun, në vend që ai të prodhojë një ‘taksë të re’ për asosacionin dhe me arsyetuar Serbinë për mos-avancim në dialog, më mirë t’u kërkojë palëve rikthim në tavolinë, por me liderë politikë, në tavolinë të nivelit të lartë, me kancelaren Merkel me presidentin Macron, në mënyrë që të finalizohen parametrat e marrëveshjes finale të njohjes recirpoke Kosovë-Serbi, e ka të pamundur ai [Lajçak] të avancojë dialogun në parametrat aktual,” – u shpreh Haradinaj.