Kryeministri Ramush Haradinaj mbrëmë nuk ka folur në Berlin pas përfundimit të Samitit. Por, këtë ai e ka bërë në një intervistë për televizionin T7 të martën ku ka shpalosur detaje të asaj çfarë ka ndodhur brenda dyerve të mbyllura të zyrave të Kancelares Gjermane Angela Merkel kur është folur për Kosovën e Serbinë në prani të liderëve të rajonit.
Ai ka folur edhe për presionet që ka marrë dhe nga liderët shqiptarë.
“Në takim kur u fol për taksën isha i vetëm. Të gjithë më bënin presion, edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeinistri Edi Rama. Madje më shumë po merrja nga ata. Dje do ishte më mirë të kishim sëbashku një qëndrim, por nuk ndodhi”, tha ai.
Më tej, Haradinaj u shpreh se propozimi ka qenë që të pezullohet taksa për 120 ditë.
Haradinaj është shfaqur i bindur se Samiti e ka të ndaluar temën e ndryshimit të kufijve. Sipas Haradinajt, takimi në Berlin përfundimisht e ka ndryshuar formatin e bisedimeve të Brukselit duke thënë se tani dy fuqitë europiane Gjermania e Franca e kanë në dorë këtë punë.
Por, Haradinaj ka kërkuar përfshirjen edhe të SHBA-ve të cilën rikujton se ia ka kërkuar edhe Mogherinit gjatë një takimi me tensione muaj më parë në Bruksel.