Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka zhvilluar një takim me ambasadorin britanik, Ruairi O’Connell.
Haradinaj këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka shkruar se mbështetja e Britanisë për Kosovën është e pazëvendësueshme.
“Në vazhdën e bashkëpunimit të shkëlqyer me ambasadorin britanik, Ruairi O’Connell, këtë fillimvit u zotuam të punojmë në funksion të avancimit të marrëdhënieve bilaterale në të mirë të dy vendeve. Deri më sot, takimet e rregullta kanë dhënë rezultate të frytshme në fushat e interesit të përbashkët dhe kështu do të vazhdojnë edhe më tej. Mbështetja e Britanisë së Madhe mbetet e pazëvendësueshme për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova”, ka shkruar në facebook Haradinaj.
O’Connell si ambasador britanik në Kosovë, ditë më parë kishte dhënë përkrahje për formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Nëpërmjet disa komenteve në Facebook, ai gjithashtu ishte shprehur se dialogu Kosovë-Serbi, duhet të përmbyllet sa më shpejt me një marrëveshje finale.