“Të mos heqim dorë, të tregojmë forcën tonë. Të mos i bojkotojmë vetëm për 10 ditë masat e sigurisë, por pa afat”,-kështu shprehen avokatët në Berat që kanë dalë në një protestë kundër hartës së re gjyqësore.
Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Beratit, Plarent Lapardhaja ka deklaruar se vendimi për ndryshimin e hartës së re gjyqësore penalizon jo vetëm avokatët, por edhe qytetarët.
Kurse kreu i Dhomës së Avokatisë së Fierit është shprehur se është kundër një vendimi të tillë, pasi nuk ëstë normale që familjet e avokatëve të mbesin pa të ardhura si pasojë e këtij vendimi. Ata kanë dalë me një deklaratë ku bëjnë të ditur se do të mblidhen ditën e premte aty ku do të vendoset se nëse do të rikthehen në punë apo do të vijojnë bojkotin.
Ditën e djeshme, Këshilli i Përgjithshëm i Avokatisë së Shqipërisë ka vendosur të bojkotojë pa afat të gjitha seancat e proceseve gjyqësore civile, penale dhe administrative. Dhoma e Avokatisë ka nisur bojkotin e seancave gjyqësore për të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Harta e re gjyqësore përcakton se vendi do të ketë 13 Gjykata të Shkallës së Parë, 2 Gjykata Administrative dhe 1 Gjykatë Apeli për të gjithë vendin. Nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë.