Ish-deputeti Halit Valteri shpërtheu në akuza ditën e sotme ndaj presidentit Ilir Meta, teksa ishte i ftuar në “Top Talk”.
Ai e cilësoi kreun e shtetit si të keqen më të madhe të vendit.
“Të isha për t’u përdorur politikisht, mund të isha përdorur kohë më parë, për Metën jo si person, por si figurë politike kam një antipati, është e keqja e këtij vendi dhe me sistemin dhe partinë koorporatë që ka krijuar e ka lënë 100 vite pas vendin tonë. Është një nga shkaktarët që kudo ku ka shkuar e ka shfrytëzuar vetëm për të vjedhur e për të shkatërruar vendin. Është i vetmi politikan që ka jetuar kaq gjatë dhe sot hiqet si burrë i mirë dhe si baba i kombit. Është mendimi im personal. Koha kur im atë dhe familja ime privoheshin nga e drejta e fjalës ka marrë fund në 1990, është i lirë të marrë nisma ligjore.”
Valteri ka bërë së fundmi një kallëzim në SPAK për presidentin Meta. Por, ai shton se ky nuk do të jetë denoncimi i fundit, pasi, javët në vijim pritet të ngrejë një padi edhe kundër një deputeti, identitetin e të cilit nuk preferoi ta bënte publik që tani.