Krenari! Albiona Manço, vajza e dy emigrantëve shqiptarë lindur në Greqi është një histori suksesi në vendin fqinj. Maturantja shqiptare është shpallur më e mira në provimet shtetërore, duke u renditur e para në degën Informatikë, Universiteti Ekonomik i Athinës. E veçanta është se maturantja me origjinë shqiptare nuk shkoi asnjë ditë në kurse private pas shkollës, ndryshe nga shoqet dhe shokët e saj.
Albiona u shpreh se “çdo gjë që bëj dua të jetë perfekte, nëse nuk arrij nivelin më të lartë, askush nuk do mësojë kurrë për angazhimin tim. Ky rezultat është piedestali në të cilin ngjitesha gradualisht me ndihmën e mbështetjen e prindërve të mi, nga klasa e parë fillore” tha ajo.
Shqiptarja ka folur edhe për jetën në Greqi dhe vështirësi që hasi në fillim. “Në fillore isha e vetmja nxënëse e huaj dhe për këtë disa herë ndjehesha ndryshe, nuk ishte e lehtë si fëmijë emigrantësh, por duke u rritur u qetësova se në gjimnaz kishte dhe fëmijë të tjerë të huaj. Si përfundim, diskriminimi sado i kufizuar që përjetova, më forcoi, më bëri më të përgatitur e të matur” tha ajo.
Shkrimi në median greke mbyllet me këtë fjali “Mbajeni mend emrin e Albiona Manços. Ndoshta një ditë e gjithë Greqia do të flasë për të …”. db/abcnews.al