Andi Reçi vendosi 12 vite më parë të vijonte studimet në Londër të Britanisë së Madhe. Inxhinieria kimike ishte një zgjedhje e imponuar nga tregu i punës në atë kohë, por kjo nuk e pengoi të arrinte rezultate të larta dhe të shkëlqente në fushën e tij.
“Inxhinieria kimike ka qenë më tepër një zgjedhje e orientuar nga tregu i punës në atë kohë dhe nga mungesa e informacionit për fusha të tjera. Gjithsesi, dega më pëlqeu më shumë me kalimin e kohës, edhe pse ndryshimet e mëdha që ndodhën në kërkesë/ofertën për punë më kanë bërë që të ndryshoj drejtim kohët e fundit”, thotë ai.
Një vit më parë Andi Reçi ishte fitues i çmimit Dancwerts-Pergamon për tezën e doktoraturës më të mirë nga Departamenti i inxhinerisë kimike dhe bioteknologjisë në Universitetin e Kembrixhit. Teza e tij e doktoraturës kishte të bënte me përpunimin e sinjaleve nga rezonanca magnetike. Por si mund të aplikohet në jetën e përditshme teza e tij?

“Çdo doktoraturë fokusohet në detaje në një pjesë të vogel të kërkimit shkencor dhe ndonjëherë është e vështirë të shihet se sa i aplikueshëm është në jetën e përditshme. Gjithsesi, nëse më duhet ta përmbledh, mendoj se arritja kryesore ka qenë përshpejtimi i imazherisë së marrë nga rezonanca magnetike në ato nivele sa tani është e mundur të shihen më në detaje lëvizjet dhe përbeëja e hidrokarbureve në materialet shkëmbore. Mund të keni dëgjuar për aplikimin e rezonanceë magnetike në mjekësi. Në grupin tonë shkencor, ne përdornim rezonancën magnetike për të përparuar njohurinë në fushën e nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve”, thotë ai.
Sidoqoftë, dhe pse me rezultate të larta në inxhinieri kimike, Andi zgjodhi të vijojë të ndjekë orientimin e tregut duke iu kthyer kështu fushës së financave, të cilën e ka pasur dashuri të vjetër mes matematikës dhe programimit. Sot punon me kompaninë prestigjioze Goldman Sachs, në zhvillimin e algoritmeve për tregtinë e aksioneve të kompanive në burse.
“Me kalimin në fushën e financës, unë iu ktheva dashurisë time të vjetër të matematikës dhe programimit. Për momentin punoj për Goldman Sachs në zhvillimin e algoritmeve për tregtinë e aksioneve të kompanive në burse. Më pëlqen dhe e shoh veten në këtë fushë për një kohë të gjatë”, shprehet ai.
Reçi na rrëfen se ka një lidhje të fortë me Shqipërinë, dhe nëse do i shfaqet një mundësi e mirë për rikthim në vendlindje do ta merrte parasysh dhe do ta vendoste në peshoren e avantazheve dhe disavantazheve. “Megjithatë, për momentin jam i fokusuar në karrieren time këtu në Londër”, na rrëfen Andi./ Tirananews.al