Nga Elton Metaj
Ky në foto është ndër flamujt e fundit të valvitur në pikën e kalimit të kufirit “Charlie” në Berlin, më e famshmja e Luftës së Ftohtë midis Bllokut Perëndimor dhe atij Lindor. Sot ky flamur “fle” krenar në muzeun e CIA-s, si fitues i Luftës së Ftohtë që pasoi triumfin e Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore.
Në anën perëndimore të pikës së kalimit “Charlie”, ushtria amerikane mbikqyrte lëvizjen e të huajve dhe forcave aleate drejt Lindjes, nëpërmjet Murit të Berlinit, që u ndërtua në vitin 1961 nga Gjermania Lindore për të penguar qytetarët e saj të largoheshin nga vendi. Për 28 vjet të jetës së tij, krahu lindor i pikës u fortifikua me kulla vrojtimi dhe pengesa shtesë. Në krahun perëndimor, Aleatët asnjëherë nuk ndërtuan një strukturë të përhershme, duke preferuar një barakë prej druri me shënimin “Ju po lini Sektorin Amerikan”, ku ngjitur qëndronte flamuri amerikan.
Pika e kontrollit “Charlie” u shndërrua kështu në një simbol të fuqishëm të konfliktit pas Luftës së Dytë Botërore midis Botës së Lirë dhe Bllokut Sovjetik, duke u shfrytëzuar dendur në operacionet e shërbimeve inteligjente.
I pushtuar nga të katër fituesit e Luftës së Dytë Botërore, Berlini u nda shpejt në dy pjesë, Lindje dhe Perëndim, kur SHBA, Britania e Madhe dhe Franca “bashkuan copat e tyre”, ndërsa Bashkimi Sovjetik mbajti tërësisht pjesën lindore. Kjo e ktheu Berlinin në një kryqëzim të spiunazhit dhe vetë historisë së Luftës së Ftohtë.
Secila nga palët e përdorte Berlinin si një pikë nisjeje për të manaxhuar spiunët në sferën tjetër të influencës, për të shkëmbyer spiunët e kapur dhe për të kapur komunikimet e kundërshtarit. Amerikanët dhe britanikët ndërtuan edhe një tunel të famshëm nën vijën e kufirit midis Berlinit Perëndimor dhe Lindor për të përgjuar linjat telefonike sovjetike.
Megjithatë, historia e një vendi pak metër katror në zemër të Berlinit, që quhej “pikë kontrolli”, që duhej të ishte një “pikë kalimi” dhe në fakt shërbeu si “pikë ndarjeje” mes dy botësh, nuk fle dhe ajo dëshmon se luftërat që duken më të lehtat, që vijnë si rastësisht e pakuptuar pas katastrofave e tragjedive të mëdha njerëzore, duket se ngulen më gjatë e më thellë. Aq “shtruar” e marrin këto luftëra, sa bëhet e vështirë t’u masësh efektin dhe t’u numërosh vuajtjet e viktimat.
Pas Luftës së Dytë Botërore, jo të gjithë në Perëndim e kuptonin rrezikun sovjetik dhe zaptimin prej tij të gjysmës së Europës. Do të duhej një 46-vjeçar amerikan, i cili bënte detyrën e Presidentit të SHBA dhe quhej Xhon F. Kenedi, që nga shkallët e bashkisë Schoneberger në Berlinin Perëndimor të zgjonte Europën dhe botën. Prej atëherë, u “shpenzuan” edhe 26 vjet që Lufta e Ftohtë të fitohej dhe “Checkpoint Charlie” t’u dorëzohej regjisorëve për filmat më të famshëm me spiunazh, ndërsa flamuri të zinte një vend të nderuar në muzeun e CIA-s.
Sot në Europë luftohet, por jo si 80 vjet më parë me ushtri të mirëfillta që përgjaken e përleshen edhe trup më trup. Sot në Europë të vrarët janë të përditshëm, por më së shumti nga bombardimet e avionëve dhe dronëve. Sot në Europë shkëmbehen robër e spiunë të kapur. Sot Ukraina është kthyer në Berlinin e ri, ku aktet e luftës kanë nisur të luhen 11 vjet më parë, prej 2014-s me aneksimin e Krimesë.
Megjithatë Europa vazhdon të mendojë se dikush në Moskë nuk e ka seriozisht dhe do të trembet e tërhiqet me ndonjë paketë të re sanksionesh të firmosur për të 20-tën herë në Bruksel apo disa furnizime ushtarake të pamjaftueshme në Ukrainë.
Historia flet. Ajo vetëm duhet lexuar ose u duhet kujtuar atyre që e kanë harruar.
