Një histori e çuditshme vjen nga Korça. Kostandin Beqirllari ka një biznes familjar që ka të bëjë me mbledhjen dhe mbushjen e bombolave të gazit.
Në 26 dhjetor 2019, në zonën pranë Drejtorisë Arsimore të Korçës ka marrë një telefonatë si zakonisht dhe ka ofruar shërbimin. Pasditen e asaj dite është telefonuar nga policia, që ka pasur njoftim për një bombul të vjedhur.
Beqirllari ka sqaruar situatën dhe ka kthyer bombolën e marrë aksidentalisht në prani të policit. Kur çështjen e dinte të mbyllur, është njoftuar nga gjykata e Korçës, se duhet të paraqitet në gjykatë, pasi akuzohet për vjedhje në bashkëpunim.
Denoncimi për “Stop”:
Kostandin Beqirllari: Rituali i punës sonë është që të marrim bombola, të mbushim dhe t’ua sjellim njerëzve. Para pak muajsh ka ndodhur një keqkuptim me një nga klientët. Unë mendova se ishte e një klienti tonë, por në fakt nuk ishte e klientit tonë. Morëm bombolën, pas disa orësh na njoftuan që duhet të paraqiteshim në polici. Shkuam aty dhe me personin në fjalë e zgjidhëm në prani të Oficerit të Policisë Gjyqësore dhe tani njihem me faktin që jam bashkëpunëtor në vjedhje për një bombol.
Sa është vlera e bombolës?
Kostandin Beqirllari: 10 mijë lekë, 15 mijë lekë të vjetra maksimumi. Personit në fjalë i kërkuam ndjesë, i kthyem bombolën. Menduam se në atë moment gjithçka u mbyll, por pas disa. muajsh shikojmë që rrezikojmë të bëjmë edhe burg.
Kallëzimi për humbjen e bombolës është bërë pranë komisariatit të policisë. Punonjësi i policisë, Ilirjan Hamzaj, që ishte prezent në momentin e kthimit të bombolës, e pranon këtë fakt, por shprehet, se proces-verbali i kthimit të bombolës i ka kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Punonjësi i Policisë, Ilirjan Hamzaj: Alo! Po urdhëro!
Gazetarja: Më rezulton nga informacionet që unë kam që në fakt ju keni qenë i pranishëm në momentin që i është kthyer bombola zotërisë në fjalë. Është e vërtetë kjo?
Punonjësi i Policisë, Ilirjan Hamzaj: Po unë kam bërë veprimet për këtë rast, mesa po kujtoj. Bombula i është kthyer ditën e ngjarjes, i kthehet dhe i lihet në ruajte palës së dëmtuar dhe materialet kanë kaluar në prokurori.
Gazetarja: Domethënë procesverbali i kthimit të bombolës tek i zoti a i është referuar prokurorisë?
Punonjësi i Policisë, Ilirjan Hamzaj: Po,po normalisht materialet, edhe këtë do thoja materialet janë referuar në prokurori dhe për veprimet e mëtejshme nuk kam dijeni.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Gent Muçaj, që është marrë me materialet thotë se nuk i kujtohet nëse ka qenë i shkruar në dosje fakti se bombola që pretendohej e vjedhur i ishte kthyer personit përkatës.
Gazetarja: Ju jeni Genti?
Opgj Gent Muçaj: Unë jam Genti!
Gazetarja: Gent Muçaj, ju jeni?
Gent Muçaj: Po! Unë kam bërë veprime të tjera hetimore.
Gazetarja: Cilat veprime te tjera?
Gent Muçaj: Të tjera që më ka deleguar, se unë jam oficer i policisë, kam qenë oficer i prokurorisë atëherë. Unë di, që kam bërë hetimet, të kam thirrur ty, a jo?
Denoncuesi: Jo, jo!
Gazetarja: A ka qenë në dosje fakti, që zotërisë i është kthyer bombola?
Gent Muçaj: Nuk e di, s’më kujtohet. Merrni informacion nga prokurori!
Gazetarja: Këtë e kam të qartë, që informacion mund të marr nga prokurori, po ti çfarë mban mend, se ti je marrë me materialet, se prokurori vetëm ka fut firmën?
Gent Muçaj: Ato janë disa veprime proceduriale, që unë kam tagër, të jap informacion.
Gazetarja: Është bashkuar në dosjen e këtij zotërisë edhe fakti, që i është kthyer bombola e gazit?
Gent Muçaj: Nuk e di. Merrni informacion nga prokurori! Ai e ka dosjen.
Prokuroria ka hapur çështje për këtë rast të çuditshëm. Prokurorit Gjergj Ceka teksa i kërkohet llogari për këtë çështje nuk jep informacione ndërsa në një rast përdor terminologji të gabuar duke iu referuar të pandehurit me emrin “viktima”.
Gazetarja: Prokuror më falni, që ju shqetësoj! Ju jeni Gjergji? Si jeni?
Prokurori Gjergj Ceka: Po unë jam!
Gazetarja: A jeni në dijeni Prokuror, që bombola është kthyer?
Prokurori: Nuk mund të jap shpjegime.
Gazetarja: A jeni në dijeni, që bombola është kthyer?
Prokurori: Nuk mund të jap shpjegime. Jeni të ftuar të largoheni, me gjithë mirësjelljen!
Gazetarja: Ftohemi, që të qëndrojmë, nuk ftohemi që të largohemi.
Prokurori: Këtu po punohet.
Gazetarja: A është përfshirë në ndonjë vend, që është kthyer bombola dhe e gjitha ka ndodhur në mënyrë aksidentale? A jeni në dijeni të kthimit të bombolës?
Prokurori: Nuk jam në pozita, që t’u jap shpjegime ju. As ju nuk jeni në “Pëzita”, që të kërkoni shpjegime mua.
Gazetarja: Jo prokuror, unë jam në pozita, që të kërkoj shpjegime, sepse ky raporti, që ke bërë dhe e ke nisur në Gjykatë, atë tjetrin e ke akuzuar për veprën penale “vjedhje në bashkëpunim” për një bombol 10 mijë lekë.
Prokurori: Siç lexohet. Viktima, në qoftë se ka ankime, të bëjë kërkesë për marrjen e akteve të dosjes.
Gazetarja: “Viktima”, për kë e keni fjalën?
Prokurori: I pandehuri.
Gazetarja: I pandehuri ka menduar, se ka mbaruar, sepse i ktheu bombolën, o zotëri. Më vjen shumë keq! Ka qenë dhe një punonjës policie aty. Në 5.06.2020 ka marrë një njoftim për në Gjykatë.
Prokurori: I pandehuri është njoftuar për përfundimin e hetimeve.
Gazetarja: Kur?
Prokurori: Dhe në qoftë se i pandehuri dëshiron të njihet me aktet, mund të bëjë kërkesë dhe të njihet me aktet!
Gazetarja: Pse nuk e keni përfshirë askund faktin, që zotërisë i është kthyer bombola, po keni inskenuar një ngjarje thua, se është vjedhur banka?
Prokurori: Në çdo fazë të procedimit, thuhet ajo që ka rëndësi për atë fazë. Në fazën, ku vlera e bombolës ndikon te përgjegjësia, thuhet ajo pjesë. Në fazën, ku nuk ka ndikim në vendimmarrjen e Gjykatës, nuk ka pse thuhet. Veprimtaria e Prokurorit udhëhiqet nga efiçenca, nga ekonomia gjyqësore.
Gazetarja: Prokuror, faleminderit për të gjithë termat që përdore, të panevojshëm për rastin në fjalë.
Prokurori: Po! Vazhdoni, sepse nuk kam asnjë detyrim, t’u jap përgjigje.
Gazetarja: Detyrimin e keni për të dhënë përgjigje! Absolutisht, që e keni detyrimin, por zgjodhët rrugën e gabuar.
Sipas avokatit Mikel Cipi, me deklaratën e personit të përfshirë në dosje, kjo çështje duhet të ishte mbyllur që në polici. Tashmë i takon të zotit të bombolës që të dëshmojë në gjykatë dhe të thotë që gjithçka ka qenë një keqkuptim që çështja të pushohet.
“Qoftë nga ana e policisë, qoftë nga ana e prokurorisë duhej të ishte marrë patjetër dëshmia e viktimës së veprës penale dhe kjo çështje ose të mos shkonte në Prokurori ose të mos shkonte në Gjykatë nëse do ishte bërë nga organi i akuzës. I takon gjykatës të marrë dëshminë e viktimës së veprës penale, pra atij që i është vjedhur sendi dhe të shpjegojë që gjithçka ishte aksidentale dhe të pushohet”, tha avokati. /tvklan.al