Figura të artit, kulturës dhe politikës po marrin pjesë në homazhet për Mirush Kabashin. Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar u vendosën buqeta me lule në nderim të aktorit të madh të njohur si “Sokrati” shqiptar. Aktori Luftar Paja, shprehu vlerësimet për figurën e Mirush Kabashit, duke e cilësuar si një figurë që do i mungojë kombit shqiptar.
“Sot përcjellim një figurë shumëdimensionale që do t’i mungojë kombit. Rrezatonte gjithë jetën mirësi. Ashtu si kishte emrin Mirush ashtu rrezatonte në art, në kulturë në shoqëri në familje. Kur ka qenë pedagog, ka pasur student djalin tim dhe kam mbresat më të mira për figurën e Mirush Kabashit”,-tha Luftar Paja.
Zhani Ciko tregoi bashkëpunimet me Kabashin dhe kur ky i fundit interpretoi për herë të parë në një koncert rolin ‘Sokrati’. “Mirushi mendonte për rolet e tij, jetonte për to. Një ditë Mirushi më afrohet dhe më thotë; kam përgatituri rolin që do të jetë më i rëndësishmi në karrierën time. Unë i thash; ty nuk të thuhet jo se ti nderon skenën. Kur bëjmë ne koncertin, skena do të jetë e jotja. U habitëm se ishte veshur me një veshje të veçantë dhe doli e interpretoi ‘Sokratin’ e tij për herë të parë. Mua më ngjalli sadisfaksion”, tha Ciko.
Shkrimtari Ylljet Aliçka tha se shfaqja më e veçantë e tij është Soktrati. “Kur punoja në ambasadë organizova një shfaqje të Sokratit në Paris dhe ishte shi dhe kisha merakun që meqë shfaqja ishte në shqip si do ta kuptonin spektatorët francezë. Ftova trupin diplomatik në Francë. Salla kishte 2 mijë veta. Pasi mbaroi shfaqja, ata thanë se nuk kishte fare nevojë për përkthim pasi shfaqja kishte aq emocion. Mirushi ka bërë një pjesë teatrale me tregimet e mia, një film të gjatë me skenarin tim. Sektari është më e veçanta. Kishte vërtetë mjeshtri aktori”, tha ai.