Analisti Poli Hoxha ka komentuar regjistrimin e Partisë së Lirisë, drejtuar nga Ilir Meta, në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Hoxha u shpreh se nuk do të përsëritet skenari i 6 marsit, por nëse Sali Berisha nuk do të marrë vulën e PD-së, do jetë i detyruar që të fusë kandidatët e tij për bashkitë me logon e PL-së.
“Një shenjë tjetër që besoj unë dhe ka diçka interesante, Partia e Ilir Metës, PL-ja u regjistrua sot në Komisionin Zgjedhor. Afati është deri në datën 7. Përse të mos priste deri të hënën për të parë sesi do jetë fati i Rithemelimit. Skenari i 6 marsit është koalicion, Shtëpia e Lirisë. Duke u regjistruar vetëm si parti, nuk mund të jetë PL-ja dhe në një koalicion dhe në një parti.
Unë këtu shikoj dhe një lojë të Ilir Metës dhe atë që është përfolur si konspiracion, që Ilir Meta kërkon të shkrijë ose të fusë brenda logos së saj Rithemelimit. Nëse nuk merr vulën, Berisha do jetë i detyruar që kandidatët e vet për kryetarë, t’i fusë nën logon e PL-së”, theksoi ai.