Salernitana ka fituar sot një sfidë shumë të rëndësishme në Serinë B kundër Empolit. Por përtej festës pas suksesit që afron edhe më shumë ngjitjen direkte në Serinë A, në klub ka pasur edhe shqetësim për Frederik Veselin. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka pësuar një incident të pafat në ndeshjen e sotme dhe është detyruar të shkojë në spital.
Veseli u përplas gjatë ndeshjes me një shok skuadre dhe më pas përfundoi në tokë, duke përplasur kokën dhunshëm. Në fushë kishte disa momente paniku, pasi ai humbni ndjenjat për disa çaste dhe vetëm pas ndërhyrjes të stafit mjekësor ia doli që të rimerrte veten e vazhdonte sfidën. Por ndeshja e tij zgjati vetëm 45 minuta, pasi trajneri vendosi të mos e aktivizonte në fraksionin e dytë të lojës.
Mediat italiane kanë bërë të ditur se ai është dërguar në spital në Salerno për të qenë në vëzhgimin e mjekëve dhe për të bërë teste më të specializuara pasi dyshohej se ka pësuar tronditje në atë përplasje.