Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit, Igli Cara ka pranuar humbjen, por megjithatë ka një sërë pakënaqësish mbi procesin, ku nuk i ka kursyer akuzat për kundërshtarët. “Një rezultat i ndikuar nga shumë faktorë, i cili tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, të kontrollohet dhe të tjetërsohet, në emër të zhvillimit, për të përqendruar pushtetin në një dorë të vetme, që shpërdoron dhe grabit ditën për diell, pasuritë kombëtare dhe fondet publike”,-shkruan Cara në një postim në Facebook.
Postimi i plotë
Mirënjohës ndaj çdo bashkëqytetari që më mbështeti përgjatë këtij rrugëtimi, duke më votëbesuar në këto zgjedhje! Falenderues ndaj çdo demokrati, opozitari, mbështetësi, që u bënë pjesë e proçesit të votimit dhe numërimit, duke tejkaluar vështirësitë dhe duke qenë aty, për t’i dhënë vlerë çdo vote!
Një rezultat i ndikuar nga shumë faktorë, i cili tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, të kontrollohet dhe të tjetërsohet, në emër të zhvillimit, për të përqendruar pushtetin në një dorë të vetme, që shpërdoron dhe grabit ditën për diell, pasuritë kombëtare dhe fondet publike.
Durrësi mbetet familja jonë e madhe, që na bën bashkë, ku unë do të vazhdoj, si çdo ditë, të shikoj miqtë, kolegët, qytetarët në sy, duke u shtrënguar duart, sepse lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, për mua mbeten zgjedhje pa kompromis. Faleminderit me zemër!