Erzen Braçani është liruar dhe do të qëndrojë në arrest shtëpie pas arrestimit të tij gjatë një operacioni të SPAK, i cili synonte trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Ndërkohë, autoritetet janë ende në kërkim të djalit të tij, Eralbi Bracani, raporton gazetari Elton Qyno.
Aplikacioni SKY ECC luajti një rol kyç në zbërthimin e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine në Europë dhe në krime të tjera të ndodhura në Shqipëri, ku dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë dhe ish-zyrtarë policie.
Nga 11 personat ndaj të cilëve ishin lëshuar urdhra arresti, vetëm 5 prej tyre u kapën, ndërsa të tjerët janë jashtë vendit. Në pranga ranë ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Bracani; shefi i Krimeve në Komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni dhe Bujar Germizi, një emër i njohur i botës së krimit në Kukës.
Gjashtë persona të tjerë janë shpallur në kërkim, përfshirë Eralbi Bracanin, djali i Erzen Bracanit; biznesmenin Ervin Mata, vëllain e gruas së Eralbi Bracanit; Albert Prengën; Ismail Zenelin; Bajram Grabovën dhe Artan Sulejmanin. Ndërkohë, Jonida Babameto, një oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, është vendosur në masë sigurie me detyrim paraqitjeje.