Plumbat gjakosin sërish Shkodrën. 36-vjeçari Elis Rroshkodoli u qëllua për vdekje teksa ishte duke konsumuar kafen brenda një lokali në lagjen “Zdrale” të Shkodrës. Viktima rezulton person me precedentë penal për veprat penale “vjedhje”, “plagosje” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Në 22 Maj të vitit 2023 për të është lëshuar një urdhër arresti edhe nga Gjykata e Bukureshtit në Rumani si i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “goditjes ose të akteve të tjera të dhunshme”.
Mediat në Rumani shkruanin një vit më parë se Elis Rroshkodoli (alias Elis Shkoza) ka goditur me thikë në të pasme një nga klientët e kafenesë Niba.
Të atin, Kujtim Rroshkodol ia kanë vrarë në 1997-ën. 36-vjeçari më së shumti në vitet e fundit ka jetuar jashtë vendit. Më shumë se 10 vjet me parë Rroshkodoli dyshohet se ka qenë autor edhe i plagosjes së 2 vëllezërve në Shkodër.