Keidi Bare, futbollisti shqiptar që sot luan me Malaga në Spanjë, në një intervistë për spanjollen marca.com ka rrëfyer rrugëtimin e tij. I lindur në Fier në vitin e trazirave të ’97, Keidi tregon për spanjollët se mban mend shumë pak, duke luajtur me top me shokët e lagjes, por ajo periudhë ka qenë më e vështirë për prindërit e tij.
Në moshën 11-vjeçare prindërit e tij kuptuan dhe mbështetën pasionin e të birit, duke e dërguar në Greqi. Por duket se fati i tij ishte përtej Mesdheut, shkruan Marca.com, në Spanjë. Pas pesë vitesh në Greqi, futbollisti 22-vjeçar tregon se u kthye në vendin e tij ku luante me Apoloninë.
Por si shkoi drejt Spanjës?
Vetëm pas pesë muajsh tek Apolonia e telefonuan të bërë një provë tek Atletico i Madridit. Sigurisht që nuk e mendoi dy herë. Pas kësaj për pesë vite resht ai luajti me Atletico Malagueno.
Një ndëshkim e rëndë dhe tani te Malaga
Në fund të sezonit të shkuar, një gabim i tij, duke fyer arbitrin, gjë për të cilën i vjen keq çdo ditë, i kushtoi një dënim me 9 ndeshje. Marca shkruan se kjo mund të ketë ndikuar në vendimin e Atletico për ta lënë të shkojë te Malaga, ku luan aktualisht, por vetë Keidi nuk ka këtë mendim.
“Kam bërë diçka të gabuar për mua dhe për ekipin, por vendosa të vij këtu sepse nuk jam një nga ata që është i kënaqur me stërvitjen dhe në stol, kam ardhur për të bërë diçka të madhe dhe kur Caminero më thirri, nuk mendova dy herë”, rrëfen fieraku.
Një shqiptar që dashuron ushqimet e detit dhe peshkun e skuqur
I rritur mes Shqipërisë dhe Greqisë, Keidi sot jeton i lumtur në Malaga të Spanjës ku mund të shijojë pasionet e tij. “Këtu është një parajsë, ecën në plazh, ha ushqime deti… kjo është ajo që më pëlqen më së shumti, është qesharake sepse në Shqipëri ka një pjatë tipike që e hanë të gjithë, fasule, dhe nuk ka shqiptar që nuk e ha atë…përveç meje”, ka thënë Keidi.