Ajo është një këngëtare që gjithmonë ka spikatur me zërin e saj në skenat tonat muzikore. Një këngëtare me një karakter të fortë, që asgjë nuk e ka ndalur të vazhdojë rrugën e saj në muzikë. Bëhet fjalë për këngtaren Barabana Dini, e cila së fundmi ka qenë edhe në Maratonën e Këngës Popullore e Qyetetare.
Ndonëse, ndarja nga jeta e vëllait të saj, këngëtarit me një zë të jashtëzakonshëm, Ergi Dini vazhdon të jetë një plagë e madhe në zemrën e saj, ajo ka mundur të vazhdojë të përmbush ëndrrën për muzikën, që Ergi e la në mes. Rikthehet me një këngë të re pas 5 vitesh, “Libri i dashnisë”, një baladë dashurie publikuar në fund të muajit korrik. E ftuar në emisionin “Rudina”, këngëtarja tregoi më shumë detaje rreth realizimit të këtij kripi.
“Kjo këngë nuk është autobiografike, tekstin dhe muzikën e ka bërë Gramoz Kozeli. Më pëlqeu mënyra se si e solli dhe vendosa menjëherë ta bëja. Është një baladë, më pëlqejnë baladat dhe gjërat që kanë kuptim dhe që shprehin diçka. Është një këngë që mund të dëgjohet me qejf në çdo kohë. Muzika është ajo që na shoqëron gjithmonë, edhe në momente të mira edhe në ato të vështira, është ilaç i shpirtit. Ndoshta duhet të kisha publikuar diçka më parë, por nuk kam qenë gati, i jam përkushtuar vetes. Tani mendoj se jam më e fortë për tu rikthyer me kohë të plotë dhe për të risjellë gjëra të reja. Xhirimet e klipit kanë qenë një aventurë, koha nuk ishte shumë në favorin tonë. Një pjesë e xhirimeve janë bërë në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër në Burrel. Unë e adhuroj natyrën dhe kisha dëshirë që të ishte jashtë në një vend të bukur”, tha Dini./tvklan.al